Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se fëmijët duhet të mbrohen prej abuzimeve, kur foli për ngjarjen e fëmijës së përfshirë në një tubim zgjedhor të Lëvizjes Vetëvendosje në Vushtrri.
“Është mirë me pasë kujdes se data 7 qershor vjen dhe ne duhet t’i mbrojmë fëmijët tanë prej abuzimeve. Mos me i leju. Dhe ne mos me abuzu me ta”, ka thënë Hamza në një konferencë për media nga selia e PDK-së, të martën.
Për Hamzën, kjo është “e papranueshme”, teksa thekson se nuk do të lejonte që atij t’i ndodhte kjo.
“Jo nuk e pranoj një gjë të tillë. Për mua është e papranueshme. E dyta, ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm për fëmijët. Edhe unë kërkoj mirëkuptim edhe besoj që kanë me gjet këtë mirëkuptim tek kjo lutje e imja te mediat, te të gjithë të tjerët që me pas kujdes vajzën e cila e ka ba një recitim çfarë e ka ba se ajo është një vajzë që ne duhet me pasë kujdes. Është me një moshë ku me duhet me pasë kujdes. Personalisht në prezencë time s’kish mujtë me ndodhë. Ju garantoj dhe ju siguroj që s’kish mujtë me ndodhë”, potencoi ai.
Hamza theksoi se për të “fëmijët janë më të vlefshëm se gjithçka”.
“Fushata kalon. Edhe mandati i një Qeverie kalon, mirëpo ne duhet ta lëmë një shije të mirë në fushatë, jo një veprim i cili ka bëjë me vota”, shtoi ai ndër të tjera.
Paraqitja e vajzës së mitur në tubimin e VV-së, ku mallkonte politikanë dhe e thërriste “Albin Baba”, Albin Kurtin, është kritikuar ashpër nga organizatat për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.









