Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë bërë thirrje udhëheqësve politikë të Kosovës që të punojnë për tejkalimin e krizës aktuale dhe formimin e institucioneve në përputhje me Kushtetutën.

“Ky ngërç i vazhdueshëm politik po rezulton në mundësi të humbura për Kosovën. Është koha që udhëheqësit t’i japin përparësi progresit dhe stabilitetit, në të mirë të të gjithë qytetarëve”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit për Radio Evropa e Lirë.

Sipas afateve kushtetuese, Kuvendi duhej të konstituohej më së largu më 7 gusht. Por, Lëvizja Vetëvendosje, përkundër se i kishte votat, nuk propozoi kandidat për Kryetar.

Lideri i VV-së, Albin Kurti, tha se i nevojitet kohë për të arritur një marrëveshje me partitë politike për Presidentin.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë thënë se moskonstituimi i Kuvendit brenda afateve kushtetuese është “cenim i rendit kushtetues”.

Që gjashtë ditë me radhë, deputetët e PDK-së janë duke protestuar para ndërtesës së Qeverisë dhe duke bërë thirrje që sa më parë të konstituohet Kuvendi.

Të martën, Kurti zhvilloi edhe një takim të radhës me Kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për çështjen e Presidentit.

Ata thanë se kanë diskutuar për profilin e Presidentit dhe se në takimin e radhës do të shkojnë me propozime të emrave konkretë.