Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka reaguar me shqetësim të thellë për situatën e krijuar pas zgjedhjeve nacionale të 9 shkurtit, ku mungesa e institucioneve funksionale dhe vendimmarrjes vlerësojnë se e ka futur vendin në ngërç të plotë ekonomik.
Ata thonë se investimet po bien, ekonomia po stagnon dhe se qytetarët e bizneset po e ndjejnë barrën e papërgjegjësisë politike.
“Për inate politike po dëmtohet ekonomia e vendit, ndërsa Kosova po përballet me rritje të importit dhe ulje të eksportit, gjë që thellon më tej bilancin negativ tregtar dhe dëmton konkurrueshmërinë e prodhimit vendor”, thuhet në reagim.
“Mungesa e reformave fiskale dhe pezullimi i politikave zhvillimore kanë krijuar një klimë pasigurie në sektorin privat. Shumë borde dhe agjenci shtetërore kanë mbetur me ushtrues detyre, pa legjitimitet për të marrë vendime strategjike, duke paralizuar proceset ekonomike”.
Nga një vend që theksojnë se dikur ishte model për rajonin dhe shembull i reformave, sot konsiderojnë se Kosova është kthyer prapa “me ekonomi të ngadalësuar dhe me mungesë të plotë të vizionit ekonomik”.
“Mbi 1 miliard euro kredi dhe grante zhvillimore mbeten të bllokuara në Kuvend për shkak të mosfunksionimit institucional. Këto mjete, që do të mund të investoheshin në energji, infrastrukturë, arsim dhe prodhim, sot qëndrojnë të palëvizshme, ndërsa bizneset përballen me vështirësi të mëdha në terren”, pohojnë ata.
Kosova, vlerësojnë se po përballet njëkohësisht me “çmime të larta të energjisë dhe kosto të shtuara të prodhimit; mungesë investimesh të huaja dhe rreziku për largim të kapitalit ekzistues; ngadalësim të rritjes ekonomike dhe humbje të vendeve të punës; pezullim të dialogut strategjik Kosovë–SHBA, që dëmton rëndë imazhin dhe besueshmërinë ndërkombëtare të vendit”.
Nga LBK-ja kërkuan “përgjegjësi institucionale dhe zgjidhje urgjente të krizës politike, në mënyrë që vendi të rifitojë stabilitetin ekonomik dhe besimin e investitorëve”.
Sipas tyre, bizneset kërkojnë qeverisje funksionale, vendimmarrje dhe një klimë të qëndrueshme zhvillimore e jo bllokadë dhe pasiguri.