Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës kanë paralajmëruar grevë në rast se deri në fund të këtij muaji nuk realizohet rritje e pagave për ta, ka deklaruar Kryetari i Sindikatës së Re, Nexhat Llumnica.

Llumnica ka thënë se po presin shqyrtimin e pasqyrave financiare të kompanisë për të çka menaxhmenti u ka thënë se do të bëhet deri më datë 16 shkurt.

“Menaxhmenti është përgjigjur dialogut social dhe kemi biseduar me 21 janar të këtij viti. Dhe ata kanë thënë që duhet të presim deri me 16 shkurt në pasqyrat financiare dhe bashkërisht të vendosim për kërkesat tona, në realitet për ngritjen e pagave, nivelizimin e pagave për punëtorë të sigurimit fizik dhe të tjerat që i kemi pasur si kërkesa”, ka thënë ai, duke dhënë detaje tjera.

Llumnica ka potencuar se rritja e pagave për punëtorët e KEK-ut është e domosdoshme pasi sipas tij ajo është shumë e vogël krahasuar me punën që bëjnë.

“Është e domosdoshme ngritja e pagave të punëtorëve të KEK-ut sepse në aspektin e asaj, të ndërmarrjes publike por edhe private, paga e punëtorëve të KEK-ut ka mbetur e vogël krahasimisht me atë se çfarë e bëjnë punën”, është shprehur ai.