Bashkimi Evropian do të ridrejtojë fondet për reforma në Ballkanain Perëndimor ndaj vendeve që kanë pasur përparim më të madh në procesin e integrimit, pra Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa vendet e tjera, në mesin e të cilave edhe Kosova, nuk po përmbushin afatet e reformave.

Dy zyrtarë të BE-së kanë thënë për Euronews se Komisioni Evropian, krahu ekzekutiv i BE-së,  do të rishpërndajë fondet për nxitjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në përmbushjen e reformave të nevojshme për anëtarësim drejt vendeve që konsiderohen si prijëse në këtë proces.

Instrumenti “Reform and Groëth Facility for the Ëestern Balkans”, që u krijua në vitin 2024, ofron mbështetje financiarë për vendet kandidate  që përmbushin kushte të rrepta në procesin e anëtarësimit.

Instrumenti që mbulon vitet 2024-2027 deri tani ka lëshuar për përdorim diku 670 milionë euro nga gjithsej 6 miliardë të planifikuara dhe shumicën e kësaj shume e ka dhënë për Malin e Zi, Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.

Kosova e shoqëruar nga Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia kanë mbetur mbrapa në zbatimin e reformave dhe kapjen e këtyre mjeteve nga Bashkimi Evropian.

Fondet humben nëse nuk përmbushen reformat. Reformat kanë afate të caktuara, të cilat nëse nuk respektohen mundësojnë kalimin e fondeve te shtete të tjera.

“Siç e thekson rregullorja, kur hapat e reformës nuk përmbushen dhe periudha shtesë skadon, fondet përkatëse mund të rishpërndahen tek përfituesit e tjerë,” ka thënë një zëdhënës i Komisionit Evropian për Euronews .

Instrumenti funksionon mbi logjikën e shpërblimit financiar. Shtetet marrin fonde për reformat e përfunduara brenda afateve të caktuara.

“Është si të paguhesh me orë pune”, ka thënë për Euronews  një zyrtar i BE-së, i cili ka kërkuar të mbetet anonim. “Paguhesh vetëm për punën që ke bërë realisht.”