Folën për vullnet, u paralajmëruan takime të radhës, në të cilat do të diskutohej për emra konkretë për pozitën e Presidentit. Por, deri më tani nuk ndodhi kështu. Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, që nga 18 gushti nuk u takuan më, duke e lënë kështu këtë çështje ende pa ndonjë rezultat.

Në takimin e fundit që patën për Presidentin, Kurti pati thënë se nuk ishte diskutuar për emra, por për kriteret, parimet dhe figurën që duhet ta ketë Presidenti i ardhshëm.

“Shqyrtuam e diskutuam kriteret për figurën e presidentit apo presidentes së re nga shumë kënde dhe në disa rrafshe, por në veçanti sa i përket vlerave, meritave dhe kontributit në shoqëri”, kishte thënë ai.

Ai pati theksuar se ekzistonte vullnet për arritjen e një marrëveshje dhe se pas konsultimeve të brendshme në Vetëvendosje dhe LDK pritej një takim tjetër.

“Besoj që mirëbesimi që kemi në njërën anë dhe në anën tjetër vullneti i qartë për të arritur marrëveshje për president, duket se na bëjnë optimistë”, deklaronte ai.

Kurti thoshte se qëllimi ishte që të arrihej një marrëveshje për Presidentin, pa pasur nevojë për zgjedhje të reja.

Edhe Abdixhiku, pas takimit, kishte thënë se ata ishin pajtuar që në takimin e radhës të shkonin me emra konkretë për pozitën e Presidentit dhe se kishin diskutuar për profilin e të parit të shtetit.

“U dakorduam që të vijmë me emra konkretë në takimet e ardhshme, por që në fund të ketë një emër, sepse s’mund të ketë disa”, kishte deklaruar Abdixhiku.

Ai pati thënë se kishte “vullnet të dyanshëm” për Presidentin, por se kishin nevojë për konsultime të brendshme para se të propozonin emra konkretë.

Pra, përtej deklaratave e paralajmërimeve për takime e emra konkretë, ky proces nuk ka ndonjë zhvillim të ri.

Përderisa ende nuk ka ndonjë zhvillim, Kuvendi po vazhdon të mbetet i pakonstituuar, ndonëse afati kushtetues ka kaluar që nga 7 gushti.

Vetëvendosja i ka votat për konstituimin e Kuvendit, por kanë thënë se duhet marrëveshje për Presidentin.

Nga ana tjetër, opozita, posaçërisht Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca, e kanë akuzuar VV-në për “cenim të rendit kushtetues”.

Pikërisht për shkak të moszgjedhjes së Presidentit, Kosova kishte shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme më 7 qershor.