Protesta kundër Gjykatës Speciale do të vazhdojë. Këtë radhë do të mbahet në Shkup të Maqedonisë së Veriut.
Kështu kanë bërë të ditur nga Organizata e Veteranëve të dalur nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), pas një takimi që kanë pasur me Kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.
“Sot pritëm z. Ali Ahmeti, njërin nga themeluesit e UÇK-së dhe të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, njëherësh liderin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Bashkë diskutuam dhe u dakorduam që protesta e radhës kundër padrejtësisë të mbahet në Shkup”, kanë njoftuar nga OVL-UÇK-ja.
Protesta në Shkup është e pesta me radhë që po organizohet nga OVL-UÇK, pas atyre që u mbajtën në Prishtinë, Hagë, Tiranë dhe Strasburg ku dhjetëra mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet protestuan kundër Gjykatës Speciale.
Që nga 5 nëntori i 2020-së, në qendrën e paraburgimit në Hagë ndodhen katër ish-krerë të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të akuzuar nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara lufte dhe kundër njerëzimit.









