Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se krerët e Ushtrisë Çlirimtare po gjykohen padrejtësisht në Hagë e jo ata që i kanë kryer krimet në Kosovë.

Këto komente, Haradinaj i ka bërë gjatë homazheve në fshatin Reçak të Shtimes, ku 27 vjet më parë ishin vrarë 45 civilë shqiptarë nga forcat serbe.

“Është e vërtetë që padrejtësisht vazhdojnë me u gjyku udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e nuk gjykohen ata që i kanë kryer krimet anë e mbanë Kosovës. Sikurse e dini, në gjithë Kosovën ka masakra, edhe është një akuzë që kërkon drejtësi”, tha Haradinaj për media.

Ai theksoi se është mirënjohës ndaj UÇK-së e gjithë brezave që kanë luftuar për liri. “Përkulemi me respekt për jetë para të rënëve për liri këtu në Reçak, ashtu si përkulemi në Prekaz e kudo ku kanë ra të dashurit tanë për lirinë e Kosovës. Dhe përjetësisht mirënjohës NATO-s dhe Amerikës për ndihmën”, shtoi ai.

“E vërtetë është që nuk është vendos drejtësia për Masakrat në Kosovë, jo vetëm për Reçakun, po edhe për Mejën e për shumë të tjera”.