Plot prej atyre që siguruan një karrige në Qeverinë e Albin Kurtit, për pak kohë u ulën edhe në tavolinën e intervistimit në prokurori. Disa si të dyshuar, e disa si dëshmitarë në raste të ndryshme keqpërdorimi.
Lufta kundër korrupsionit dhe nepotizmit ishte karta kryesore e retorikës së Vetëvendosjes në rrugëtimin drejt pushtetit.
Zyrtari i Vetëvendosjes që u emërua drejtor në KEK, Nagip Krasniqi, ishte ndër të parët me të cilin u mor drejtësia. Ai u arrestua dhe u mbajt në paraburgim nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës, ushtrim të ndikimit dhe konflikt interesi. Për të njëjtat arsye, më pas iu ngrit edhe aktakuzë.

Hetuesia zbarkoi në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në tetor të vitit të kaluar. Prokuroria njoftoi se po heton ministrin Liburn Aliu nën dyshimet për keqpërdorime në shlyerjen e borxheve për kompanitë që merren me ambalazhimin e ujit në Kosovë.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, u intervistua dhe është nën hetim, bashkë me disa zyrtarë të tjerë, për keqpërdorim të detyrës në lidhje me rezervat shtetërore.
Për këtë rast u ftua si dëshmitar edhe kryeministri Albin Kurti. Por ai po e shmang ftesën vazhdimisht, duke refuzuar të paraqitet në prokurori dhe duke kërkuar që “diskutimi” të bëhet në zyrën e tij. Madje, ai akuzoi sistemin prokurorial se “ka qëllim të prodhojë lajm ndërkombëtar që kryeministri të intervistohet për një rast korrupsioni”. Në fakt, ai sërish e shijoi vëmendjen ndërkombëtare me refuzimin e ftesës.
Dhënia me qira e fabrikës për trajtimin e mbetjeve shtazore e çoi në prokurori Ministrin e Bujqësisë, Faton Peci. Hulumtimi i publikuar nga gazetari Lirim Mehmetaj nxori në pah dyshime për një skandal milionësh lidhur me këtë kontratë. Për të njëjtin rast u intervistua edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, pasi ministri Peci tha se kishte zhvilluar diskutime me të rreth kësaj kontrate.
Aktakuza ndaj Nagip Krasniqit bëri që edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, të ftohet si dëshmitare. Po për të njëjtin rast, ndonëse pa ndonjë pozitë qeveritare, u ftua edhe Dejona Mihali, koordinatore e komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje. Mediat zbuluan biseda të shpeshta në WhatsApp mes Mihalit dhe Krasniqit. Zyrtarja e VV-së dukej të kishte përfshirje të madhe në punët e brendshme të KEK-ut.

Rruga Prishtinë–Podujevë nuk u përfundua as me Qeverinë Kurti, por për të kanë nisur hetimet. Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, u intervistua si i dyshuar për projektin e kësaj rruge.
Në të gjitha këto raste, kryeministri Kurti dhe vartësit e tij, ndryshe nga çdo qeveri e mëparshme, kanë qenë sulmues ndaj sistemit të drejtësisë dhe mbrojtës të zyrtarëve nën akuzë apo hetim.









