Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër ish-kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti. Aktakuza ka të bëjë me mosdeklarim të pasurisë në vlerë prej 172 mijë eurosh. Ai akuzohet se nga viti 2018, deri më 2022, me dashje ka paraqitur deklarata të pasakta të pasurisë, përkatësisht duke mos deklaruar deponimet në para të gatshme, të realizuara personalisht gjatë viteve përkatëse.

Njoftimi nga Prokuroria:

Aktakuzë ndaj një personi për mosraportim të pasurisë

Prishtinë, 23 Dhjetor 2025 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Sh.A., për veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

I pandehuri akuzohet se, nga viti 2018 e në vazhdimësi deri në vitin 2022, në cilësinë e Kryetarit të Komunës së Prishtinës, me dashje ka paraqitur deklarata të pasakta të pasurisë, përkatësisht duke mos deklaruar deponimet në para të gatshme, të realizuara personalisht gjatë viteve përkatëse.

Sipas aktakuzës, shuma e përgjithshme e mjeteve të padeklaruara arrin vlerën prej 172,600.00 euro.

Rasti i është dërguar për shyrtim Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti Special.