Më 14 shtator, në ora 14:00, do të vazhdojë protesta kundër Gjykatës Speciale. Këtë radhë do të mbahet në Hagë, te ndërtesa e Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Kjo protestë është thirrur nga mërgata shqiptare dhe është mbështetur nga Organizata e veteranëve të dalur nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK).
Kjo protestë mbahet pas asaj që u organizua në Prishtinë më 7 gusht. Dhjetëra mijëra qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare u mblodhën në Prishtinë për të kundërshtuar Gjykatën Speciale, e në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së.
Që nga 5 nëntori i 2020-së, në qendrën e paraburgimit në Hagë ndodhen katër ish-krerë të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të akuzuar nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara lufte dhe kundër njerëzimit.









