Në një mëngjes të në qytetin lindor indian Kolkata, Koustav Bagchi lëviz derë më derë i veshur me një veshje tradicionale të bardhë me të kuqe, duke mbajtur një peshk në dorë.

Daullet bien pas tij ndërsa mbështetësit ia brohorasin emrin.

Një avokat i kthyer në politikan dhe kandidat i Partisë Bharatiya Janata (BJP) nga Barrackpore në zgjedhjet e ardhshme të asamblesë së Bengalit Perëndimor, Bagchi po mbështetet te ky “aksesor peshku” për të bërë punën e heshtur të bindjes së votuesve.
Nuk ka fjalime për politika. Vetëm një sinjal vizual: Unë jam një prej jush.

Disa kilometra më larg, në zonën portuale të Kolkata-s, një tjetër kandidat i BJP-së, Rakesh Singh, organizon një spektakël të ngjashëm. I veshur për efekt dhe i shoqëruar nga punonjës partie, ai e ngre një peshk vazhdimisht ndërsa lëviz mes turmave të mëngjesit herët, duke sfiduar kryetarin e qytetit Firhad Hakim në një nga garat më të profilizuara të shtetit.

Në Bengal, peshku është më shumë se ushqim – është rrjedha e gjakut të kuzhinës, e ndërthurur me kujtesën, ritualin dhe jetën e përditshme, një shenjë identiteti dhe përkatësie.

Në të gjithë Bengal-in Perëndimor, kjo rezonancë po vihet në skenë si teatër politik, me kandidatët që tundin peshq për të qetësuar një ankth shumë specifik.
Në një vend ku zakonet ushqimore mund të jenë thellësisht politike, BJP-ja e kryeministrit Narendra Modi shpesh lidhet me një vegjetarianizëm më të theksuar, ndonjëherë të moralizuar.
Kufizimet periodike mbi shitjen e mishit në disa shtete të drejtuara nga BJP dhe aksionet e lidhura me mbrojtjen e lopës kanë ndihmuar në forcimin e këtij perceptimi, edhe pse India mbetet kryesisht jo-vegjetariane.

Në zgjedhjet e Bengalit Perëndimor, peshku ka dalë nga pjata dhe është vendosur në qendër të fushatës, i ripërkufizuar si provë e besnikërisë kulturore dhe kundërpërgjigje ndaj akuzave për ndërhyrje.

Kryeministrja e shtetit, Mamata Banerjee nga Kongresi Trinamool, e cila kërkon një mandat të katërt radhazi, ka paralajmëruar se BJP “kërcënon mënyrën e jetesës së Bengalit”, duke përmendur peshkun dhe orizin si të panegociueshëm.
“BJP nuk do t’ju lejojë të hani peshk. As mish apo vezë,” tha ajo në një takim elektoral.

Liderja energjike 71-vjeçare shtoi në një tjetër takim: “Bengali jeton me peshk dhe oriz. Ju po u thoni njerëzve se nuk mund të hanë peshk, mish apo vezë – çfarë do të hanë atëherë?”

BJP reagoi po aq ashpër, duke kërkuar të neutralizojë akuzën dhe ta kthejë sulmin mbrapsht.
Smriti Irani e quajti pretendimin “gënjeshtër”, duke këmbëngulur se “Bengali dhe peshku me oriz janë pjesë e kulturës së tij që nuk do të zhduket kurrë”.
Swapan Dasgupta, kandidat i partisë në zonën Rashbehari, tha se akuzat e Banerjee janë shpërqendrim: “Po përpiqen të largojnë vëmendjen nga korrupsioni i tyre me këtë narrativë të rreme se ne do të ndalojmë konsumimin e peshkut. Kjo është absurditet.”

Në terrenin e fushatës, edhe vetë Modi e ka përdorur peshkun si argument politik, duke e paraqitur si tregues të dështimit të qeverisjes.
Vegjetarian, ai akuzoi qeverinë e Banerjee se ka dështuar ta bëjë Bengal-in të vetë-mjaftueshëm në peshk.
“Edhe pas 15 vitesh në pushtet, nuk ju kanë siguruar as diçka bazike si peshku. Ai duhet të vijë nga jashtë”, tha ai.

Banerjee reagoi menjëherë, duke thënë se 80% e nevojave për peshk plotësohen brenda shtetit.
“Ju [BJP] nuk lejoni konsumimin e peshkut në Bihar, Uttar Pradesh dhe Rajasthan dhe organizoni sulme ndaj dyqaneve të peshkut në Delhi. A nuk ju vjen turp?” tha ajo.

Mes ankthit kulturor dhe kritikës ekonomike, peshku është bërë më shumë se një ushqim bazë; tashmë është një simbol për gjithçka që rivalët thonë se është në rrezik.

India është prodhuesi i tretë më i madh i peshkut në botë dhe i dyti në akuakulturë, por renditet e 129-ta për konsum për frymë. Megjithatë, në Bengal-in Perëndimor, peshku është pothuajse universal.
Një studim i vitit 2024 nga Indian Council of Agricultural Research dhe WorldFish gjeti se rreth 65.7% e popullsisë konsumon peshk çdo javë.

Në Bengal, peshku ka pasur gjithmonë kuptime përtej pjatës. Në romanin “Padma Nadir Majhi”, Manik Bandopadhyay e lidh atë me fatin dhe mbijetesën. Në “The Hungry Tide”, Amitav Ghosh e lidh me ekologjinë dhe pasigurinë në deltën Sundarban.

Peshku i çmuar hilsa, shkruan Samanth Subramanian në librin e tij “Following Fish”, është aq qendror sa “nëse kuzhina bengaleze do të ishte Wimbledon, hilsa do të luante gjithmonë në fushën qendrore”. Ta hash siç duhet është pothuajse një rit përkatësie.

Peshku sinjalizon gjithashtu gjeografinë (lumenjtë si Ganges dhe Padma), historinë (ndarja e Indisë) dhe klasën shoqërore.
Madje edhe rivaliteti i futbollit mes East Bengal FC dhe Mohun Bagan Super Giant përfshin stereotipe rreth preferencave për peshq të ndryshëm.

Sociologët besojnë se kjo simbolikë e dendur e ka bërë peshkun politikisht të dobishëm.
Historiani Jayanta Sengupta thotë se peshku është “i pandashëm nga kuzhina bengaleze”.
“Duke qenë se BJP shpesh lidhet me shtytjen drejt normave vegjetariane, partia në pushtet e Bengalit e ka përfshirë ushqimin në një narrativë më të gjerë krenarie kulturore,” thotë ai.

Javën e kaluar, presidenti shtetëror i BJP-së Samik Bhattacharya ftoi gazetarët për ditën e rezultateve më 4 maj, duke premtuar peshk të skuqur.
Madje ai tha se pas rezultateve do t’i dërgonte Banerjee-s “lloje të ndryshme peshqish të vegjël” dhe do ta ftonte për “mach bhaat” (peshk me oriz).

Në një zgjedhje të formuar nga identiteti, jetesat dhe një dozë ironie politike, peshku mund të mos vendosë rezultatin.
Por tashmë e ka përcaktuar garën – duke treguar se sa natyrshëm ndërthuren kultura dhe politika në fushatë.