Një pjesë e kanalit të Ibër-Lepencit është dëmtuar me mjete të forta nga persona të panjohur në Zubin Potok.

Lajmi është bërë i ditur nga Policia e Kosovës, në raportin 24 orësh të datës 26 nëntor. Rasti ka ndodhur mes datave 22 deri më 25 nëntor.

“Është raportuar se persona të panjohur me mjete të forta kanë dëmtuar një pjesë të kanalit të Ibër-Lepencit (bajpas-it)”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndryshe, më 29 nëntor të vitit të kaluar, kishte ndodhur një shpërthim në kanalin e Ibër-Lepencit. Kosova, këtë rast, e kishte cilësuar si akt terrorist, derisa kishte akuzuar Serbinë për organizimin e tij.