Sot, duke filluar nga ora 13:00, në Prishtinë, te Kuvendi i Kosovës, do të mbahet protesta për kundërshtimin e ekspozitës skandaloze për masakrat në Kosovë, në të cilën u paraqitën të dhëna të pasakta për masakrat.
Kjo protestë është thirrur nga organizatat e dalura nga Lufta e UÇK-së. Kur ata njoftuan për organizimin e protestës patën thënë se nuk pranojnë që të relativizohen krimet serbe.
“Kemi për detyrë ta mbrojmë të vërtetën jo me fjalë, por të bashkuar qysh kemi qenë edhe në luftë. Sot kërkohet bashkim, sepse ka përpjekje të organizuar për ta dobësuar kujtesën tonë dhe për ta mjegulluar të vërtetën, por historia jonë nuk preket ajo është shkruar me gjak dhe nuk fshihet me ekspozita”, tha Gazmend Syla, nënkryetar i OVL-UÇK-së.
“Prandaj, po iu themi qartë nuk lejojmë të përdhoset lufta jonë nuk pranojmë të relativizohen krimet serbe, nuk heshtim përballë fyerjeve të viktimave tona. Për këtë arsye organizatat e dala nga lufta e UÇK-së kanë vendosur që nesër e hënë, ora 13:00, të organizojmë protestë para Kuvendit”, shtoi ai.
Syla ftoi secilin qytetar “që ka dinjitet e që e njeh sakrificën dhe që nuk e pranon padrejtësinë të na bashkohet nesër në ora 13:00”.
Ndërsa, Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, tha se ekspozita e Shkëlzen Gashit, që u mbështet nga institucionet shtetërore, është “fyerje jo vetëm për neve, por për shoqërinë, kombin dhe martirët e vendit që kanë dhanë jetën e tyre nëpër burgje”.
“Jemi kundër atij shkrimi, kundër asaj ekspozite, kundër çdo gjëje që është kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kundër kombit tonë dhe kundër masakrave që kanë këqyr me i minimizu masakrat e Kosovës apo numrin”, shtoi ai.
Gucati e pati falënderuar Kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, për vendimin që ta largojë ekspozitën nga sheshi “Nënë Tereza”, pasi që u konstatuan se të dhënat e paraqitura për masakrat ishin të pasakta.
Mbështetje protestës, ndër të tjerë, i kanë dhënë Kryetari në largim i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe Partia Demokratike e Kosovës.









