Më 3 prill 2025, kur Albin Kurti takoi deputetët e partive jo shumicë, ai fliste për një urgjencë në krijimin e institucioneve të reja – Kuvendit dhe Qeverisë.
Por sot, pasi ka marrë mandatimin dhe Kuvendi është konstituuar, duket se ka gjëra më të rëndësishme për të.
“Konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë pa vonesa është interes i përbashkët, sepse është në interes të qytetarëve të Republikës dhe vullnet i qartë qytetar që punët e mira të vazhdojnë e shumë tjera të nisin”, kishte shkruar Kurti më 3 prill në një postim në Facebook.
Data 26 tetor është afati i fundit – 15 ditë nga momenti i mandatimit – që Kurti ta provojë formimin e një qeverie të re.
Por për kryetarin e Vetëvendosjes, që dikur fliste për “urgjencë”, tash gjithçka po ecën në slow motion.
Këto ditë, ai thotë se po merret me analiza zgjedhore të garës lokale.
“Tepër shumë punë këto ditë, analiza e rezultateve nga qendrat. Na duhet ta shohim kontributet që kanë pasur fushatat nëpër komuna me rezultatin që kemi arritur, në mënyrë që sa më shpejt të fillojmë me fushatën për balotazhe. Andaj dje dhe sot nuk kam arritur ende t’i zhvilloj ato komunikime. Por po e bëjmë një plan edhe për këtë gjë. I kemi më shumë se 10 ditë,” tha Kurti sot.
Kosova është tash e tetë muaj në bllokadë institucionale, pa arritur të krijojë institucionet e reja që nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Nisma Socialdemokrate është e vetmja që ka shprehur gatishmëri për të biseduar për qeverinë e re, por me kushtin që Fatmir Limaj të zgjidhet Kryetar i Kuvendit, duke zëvendësuar Dimal Bashën.
“Nëse do të jemi vetëm ne, atëherë do ta vendosim këtë kërkesë, sepse vendit i duhet një figurë unike, siç është zoti Limaj, që do ta udhëhiqte institucionin më të rëndësishëm ligjvënës në vend”, tha deputetja e Nismës, Xhevahire Izmaku.
“S’ka asnjë logjikë që në krye të Kuvendit të jetë një person që tenton ta rrisë personalitetin e tij duke përdorur elemente të luftës çlirimtare. Ky ka qenë elementi i parë që kemi kërkuar. Besoj që Vetëvendosje ka ide më të mira sesa ky votim, që fatkeqësisht e përkrahu edhe një pjesë e opozitës,” shtoi ajo.
Ndërkohë, partnerja politike e Kurtit, Mimoza Kusari-Lila, po e sheh shpërndarjen e Kuvendit dhe zgjedhjet e reja si zgjidhjen më të arsyeshme:
“Unë them se zgjidhja më e mirë janë zgjedhjet e reja, sepse tashmë ka kaluar një periudhë e gjatë prej mbajtjes së zgjedhjeve dhe ka pasur disa ndryshime që kërkojnë rikonfirmim të besimit të qytetarëve. Por natyrisht, për zgjedhje gjithmonë jemi gati”, tha ajo për Indeksonline.









