Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se që nga nesër (e premte), është i gatshëm që të fillojë diskutimet në lidhje me çështjen e Presidentit – i cili duhet të zgjidhet në mars.
Këto komente, Kurti i ka bërë në mbledhjen parë të Qeverisë, një ditë pas rizgjedhjes së tij në krye të ekzekutivit.
“Pas konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së Qeverisë mbrëmë, tash jemi në hapin e tretë: votimi i buxhetit 2026 dhe i marrëveshjeve ndërkombëtare. Porsa të përfundohen këto, jam i gatshëm që nga nesër të fillojmë kontaktet dhe diskutimet me subjektet tjera politike për çështjen e Presidentit”, tha Kurti.
Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, ka shprehur publikisht ambiciet edhe për një mandat. Nga ana tjetër, Kurti ende nuk është deklaruar nëse e mbështet apo jo Osmanin edhe për një mandat në krye të shtetit.








