Dy vjet më parë, regjisori Scott Cooper dhe shkrimtari Warren Zanes u thirrën në shtëpinë e Bruce Springsteen në New Jersey. Në një farë kuptimi, takimi ishte një surprizë. Siç vëren Cooper, Springsteen ishte i njohur për “t’i thënë jo çdo përpjekjeje për të bërë një film për jetën e tij që nga 1986”. Por, diçka në skenarin që kishte shkruar Cooper duket se i kishte ngjallur interesin. Ai bazohej në librin e Zanes “Deliver Me from Nowhere”, jo një biografi klasike gjithëpërfshirëse, por një histori e hulumtuar me imtësi për albumin “Nebraska” të vitit 1982, të cilin Zanes e quan “kthesa më e madhe e befasishme e bërë ndonjëherë nga dikush që kryesonte në listat muzikore”.
Publikuar mes albumit të parë Nr.1 të Springsteen në SHBA, “The River” (1980), dhe triumfit global “Born in the USA” (1984), “Nebraska” ishte një koleksion i zhveshur, me tingull shtëpie, i regjistruar në dhomën e tij të gjumit ndërsa ai përballej me depresionin. Këngët e tij ishin të përndjekura nga hijet e vrasësit serial adoleshent Charles Starkweather dhe mafiozit italo-amerikan Philip Testa, si dhe nga marrëdhënia e tensionuar e Springsteen me të atin, një punëtor i klasës punëtore, pijedashës dhe i ftohtë, të cilit më vonë iu diagnostikua skizofrenia paranoide.
Tingulli i tij i jehonshëm shpesh ngjante më pak me rock-un e zemrës së Amerikës që e kishte bërë të famshëm Springsteen dhe më shumë me duon konfrontuese punk elektronik “Suicide”. Reagimi i parë i menaxherit Jon Landau ishte sugjerimi që Springsteen të kërkonte “ndihmë profesionale” nga një psikiatër – gjë që ai më vonë e bëri. Ai refuzoi gjithashtu ta promovonte albumin, duke mos dhënë intervista ose bërë turne. Megjithatë, befas u bë një hit “top five” në të dy anët e Atlantikut.
Historia është intriguese, por sfiduese për një film. Siç thotë Cooper, “është në thelb historia e dikujt që shkruan dhe regjistron një album vetëm, në dhomën e tij. Si ta shndërrosh heshtjen në kinematografi? Si ta bësh kinematografike historinë e një njeriu që po shpërbëhet brenda vetes?”.
Takimi me Springsteen, megjithatë, shkoi mirë. Ai u shfaq entuziast, edhe pse vuante nga një ulçerë stomaku, dhe i priti me sanduiçe “cheesesteak” luksoze, që, sipas Zanes, pasqyronin qartë karrierën e një njeriu që ka shitur mbi 140 milionë disqe: “biftekë shumë cilësorë me çedar të shkrirë, mes dy fetave bukë artizanale. Nuk ishin marrë nga Subway”.
Pavarësisht mikpritjes, Cooper e përshkruan si “përvojë nervozuese”: ai kishte qenë adhurues i Springsteen për dekada, shpesh duke dëgjuar “Nebraska” dhe “The Ghost of Tom Joad”, ndërsa shkruante skenarë për filma të tij me Christian Bale.
“Albumet flasin për vetminë që përjetojnë burrat amerikanë dhe një lloj shkatërrimi shpirtëror”.
Në fund të leximit të skenarit para Springsteen dhe Landau, Bruce e përqafoi dhe i tha: “Kjo është. Le të fillojmë.” Aty nisi gjithçka.
Ndryshe nga Bob Dylan që nuk mori pjesë në biografinë e tij, Springsteen ka qenë i pranishëm, madje edhe në festivale, për të promovuar filmin, duke u hedhur në skenë për të lavdëruar aktorët, për të sulmuar Donald Trump dhe për të kënduar “Land of Hope And Dreams”. Ai vizitoi shpesh xhirimet, duke siguruar autenticitetin. Aktorja Odessa Young kujton se ishte “mahnitëse” të shihje Springsteen duke hyrë në klubin legjendar Stone Pony dhe thjesht duke u sjell si djalë i qytetit të vet.

Jeremy Allen White si “The Boss”
Roli kryesor iu besua Jeremy Allen White, yllit të “The Bear”, që Cooper e quan “një nga aktorët më të mëdhenj të gjeneratës së tij”, me një kombinim “përulësie dhe vetëbesimi” që pasqyron vetë Springsteen. Fakti që White u bë figurë e njohur ndërkombëtarisht falë “The Bear” dhe reklamave të tij për Calvin Klein, padyshim ndihmoi filmin edhe tregtarisht.
Por, White nuk ishte muzikant. Ai kaloi muaj duke marrë mësime kitare dhe zëri, duke menduar se “kurrë nuk do t’ia dalë”. Pas shumë përpjekjesh, arriti të përvetësonte jo vetëm kitarën, por edhe mënyrën karakteristike të këndimit të Springsteen. Megjithatë, sfida më e madhe ishte ta bënte këtë përpara vetë Springsteen.
“Është një peshë e madhe të luash dikë real, e sidomos një njeri të gjallë, të dashur nga miliona. Fillimisht më paralizoi ideja”.
Ai e kuptoi se mënyra e vetme ishte ta shihte jo si Springsteen-in mitik, por si një djalë të ri muzikant, në prag të famës botërore, që përpiqet të bëjë një album ndërsa përballet me të kaluarën e vet dhe marrëdhëniet familjare.
“Në fillim më duhej pothuajse ta harroja atë”.
Harresa ishte e pamundur, pasi Bruce shpesh qëndronte aty duke parë xhirimet.
“Në javën e parë ishte e vështirë të shmangia ndjesinë e falsitetit. Por, pastaj ai u bë një lloj udhërrëfyesi, madje edhe në heshtje, duke na dhënë lejen për ta bërë filmin”.
Në mbrëmje, Springsteen i dërgonte mesazhe White-it, duke e komplimentuar për gjeste të vogla e të vërteta.
“Kjo më dha shumë kurajë”, thotë ai.
Rezultati ka qenë i suksesshëm: White është përfolur për një nominim për Oscar. Filmi sjell një periudhë të caktuar në historinë e muzikës pop – fillimin e epokës digjitale, lindjen e MTV-së dhe ardhjen e CD-së – që “Nebraska” i kundërshtoi me tingullin e tij të ashpër dhe të zhveshur.
Trashëgimia e “Nebraska”
Në vitin 1984, me “Born in the USA”, dyshimet e Springsteen për famën ishin zhdukur: albumi u bë një fenomen global dhe e ktheu atë në superyllin që mbetet edhe sot. Megjithatë, Zanes thotë se “Nebraska” ka ndikim të jashtëzakonshëm në muzikën rock, duke hapur rrugë për indie rock-un dhe frymëzuar breza muzikantësh që punonin vetëm në dhomat e tyre.
Ai e sheh albumin si një simbol aktual, në një kohë kur teknologjia dhe rrjetet sociale i bëjnë njerëzit të fshehin çdo të metë.
“Por ‘Nebraska’ thotë: ‘Ky jam unë, këtu jam, dhe pikërisht për shkak të papërsosmërisë, jam më afër së vërtetës së momentit tim’. Është një histori për 1982, por edhe për sot. Shpresoj që filmi të na bëjë të mendojmë të dalim në botë më pak të përsosur, por pak më njerëzorë.” (The Guardian)