Autoritetet hungareze kanë ndaluar një vëlla të ish-Kryeministrit, Viktor Orban-it, si pjesë e një hetimi për trafikim me njerëz, ka bërë të ditur Kryeministri i Hungarisë, Peter Magyar.
Organi hungarez kundër korrupsionit, Zyra Kombëtare për Mbrojtjen dhe Rikuperimin e Pasurisë, tha në një komunikatë për media se një operacion i përbashkët me policinë kishte çuar në arrestimin e katër personave dhe bastisjen e disa banesave në Budapest dhe në qarkun e Pestit.
Ndonëse në komunikatë nuk u përmendën emrat e tre burrave dhe një gruaje të ndaluar, Magyar e lidhi njërin prej arrestimeve me ish-kryeministrin.
“Tre ish-ministra të Orban-it tashmë janë në paraburgim”, tha Magyar në Berlin, ku mbajti një fjalim të hënën në mbrëmje. “Sot, edhe vëllai i tij përfundoi në paraburgim”, shtoi ai, duke iu referuar vëllait të ish-liderit hungarez, Aron Orban, 49 vjeç, raporton The Guardian.
Në prill, Magyar fitoi bindshëm zgjedhjet, duke e larguar Orban-in nga pushteti pas 16 vjetësh në krye të Qeverisë. Gjatë kësaj periudhe, Hungaria kishte rënë në renditje, duke u shndërruar në vendin më të korruptuar të Bashkimit Evropian. Para zgjedhjeve, Magyar kishte zhvilluar një fushatë në gjithë Hungarinë, duke premtuar hetimin e çdo pretendimi për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë qeverisjes së rivalit të tij.
Të hënën, kur u bë publik lajmi për ndalimin e vëllait të tij, në një postim në rrjetet sociale, Viktor Orban akuzoi zyrtarët hungarezë se po zhvillonin një “gjueti shtrigash politike”.
“Qëllimi i kësaj loje të ndyrë politike është eliminimi i kundërshtarëve dhe vendosja e një shteti njëpartiak. Unë jam objektivi i vërtetë. Vëllai im më i ri po përdoret thjesht për të arritur tek unë”, tha Orban, i cili vazhdon të jetë kryetar i partisë së tij nacionaliste të djathtë, Fidesz.
Menjëherë pas marrjes së pushtetit në maj, Magyar themeloi Zyrën Kombëtare për Mbrojtjen dhe Rikuperimin e Pasurisë, një organ të pavarur me mandat për të zbuluar keqpërdorimet e mundshme të fondeve publike në të kaluarën dhe për të parandaluar shkeljet në të ardhmen.
Ai e përshkroi këtë zyrë si një shtyllë qendrore të një fushate më të gjerë kundër korrupsionit, të cilën e quajti “Operacioni Purgatori”.
Magyar ka pretenduar se korrupsioni, përfshirë keqpërdorimin e fondeve publike, mund t’u ketë kushtuar hungarezëve deri në 10 për qind të prodhimit të brendshëm bruto të vendit në vitet e fundit. Orban i ka mohuar të gjitha akuzat për keqpërdorim.
Policia tha në një komunikatë të hënën se katër personat e ndaluar dyshohet se kishin ndihmuar shtetas vietnamezë të shkonin drejt Evropës Perëndimore për disa muaj gjatë vitit 2024. Kjo periudhë sugjeron se aktivitetet e pretenduara kishin ndodhur kur Orban ishte ende në pushtet.
Sipas autoriteteve, të dyshuarit akuzohen se kishin ndihmuar më shumë se 100 shtetas vietnamezë të siguronin viza në përfaqësitë diplomatike të Hungarisë në Vietnam, në këmbim të një pagese për rekrutim, të cilën më pas e ndanin mes tyre.
Policia shtoi se katër të ndaluarit dyshohen për “trafikim me njerëz, të kryer në kuadër të një grupi kriminal me qëllim përfitimin financiar”.
Njëri prej të dyshuarve dyshohet se kishte ushtruar ndikim të paligjshëm gjatë procesit të pajisjes me viza.
Ndalimi i tij është rasti i fundit në një seri veprimesh të profilit të lartë të policisë kundër ish-zyrtarëve ose personave të tjerë të lidhur me ish-Kryeministrin.
Në muajt pas largimit të Orban-it nga pushteti, tre ish-ministra të qeverisë së tij janë ndaluar në raste të ndara, për shkak të dyshimeve për korrupsion. Në mesin e tyre është edhe ish-guvernatori i Bankës Qendrore, Gyorgy Matolcsy.
Të gjithë i kanë mohuar akuzat që i ngarkohen.









