Albulena Haxhiu e ka sistemuar në Kuvend një tjetër ish-zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë.
Feride Podvorica është emëruar ushtruese e detyrës së Sekretares së Përgjithshme të Kuvendit të Kosovës, pozitë kjo që udhëheq administratën e këtij institucioni.
Podvorica më herët ka qenë pjesë e Ministrisë së Drejtësisë, dikaster që për disa vite është drejtuar nga Albulena Haxhiu.
Ajo ka mbajtur pozitën e zëvendësdrejtoreshës së Departamentit Ligjor në Ministrinë e Drejtësisë, ndërsa më pas ka ushtruar edhe detyrën e u.d. të Drejtoreshës së Departamentit Ligjor.
Gjatë angazhimit të saj në Ministrinë e Drejtësisë, Podvorica ka qenë e përfshirë në hartimin e akteve ligjore dhe në grupe të ndryshme punuese të kësaj ministrie.
Emërimi i saj në krye të administratës së Kuvendit vjen pas largimit të ish-zyrtarit që mbante këtë funksion.

Në mars, Haxhiu kishte larguar nga pozita Arben Loshin, i cili kishte ushtruar detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit.
Largimi i Loshit ishte shoqëruar me reagime, pasi ai kishte deklaruar se kishte ende mandat dhe se procedura për përzgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm kishte përfunduar.
Ai kishte thënë se kishte qenë kandidati me më së shumti pikë në konkursin për këtë pozitë dhe se nuk kishte pasur ankesa ndaj procesit të vlerësimit.
Pas largimit të tij, pozita ishte mbuluar me ushtrues detyre, ndërsa tash në këtë funksion është vendosur Feride Podvorica.
Kjo nuk është zyrtjarja e vetme që Albulena Haxhiu e ka “rehatuar” në Kuvendin e Kosovës nga Ministria e Drejtësisë kur vet e kishte përfunduar mandatin aty, si ministre e atij dikasteri qeveritar.









