Gazetat prestigjioze ndërkombëtare si The Guardian dhe The New York Times (NYT) i kanë kushtuar artikuj situatës politike në Shqipëri, ku tash e sa ditë po zhvillohen protesta që kundërshtojnë një projekt turistik në një zonë të ndjeshme të habitatit shqiptar në jug të vendit.
“Mijëra njerëz dolën në rrugët e Tiranës për të tretën ditë radhazi të mërkurën, disa prej tyre duke tundur flamingo të fryra në shenjë proteste ndaj dëmit të mundshëm mjedisor, mes thirrjeve në rritje për bllokimin e projektit”, shkruan prestigjiozja britanike Guardian.
Gazeta britanike nënvizon faktin se kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka ftuar protestuesit për diskutim, teksa theksojnë po ashtu atë që Rama po e përsërit tërë kohën “projekti nuk do të ndalet për sa kohë që unë jamë këtu”.
The New York Times ka përmbledhur situatën po ashtu. Gazeta amerikane thekson se protestat po organizohen kundër projektit të dhëndrit të Presidentit amerikan, Donald Trump, Jared Kushner.
“Protestat janë shtuar ditët e fundit kundër planeve të Jared Kushner, dhëndrit të Presidentit Trump, për të zhvilluar prona luksoze në një pjesë ekologjikisht të ndjeshme të bregdetit shqiptar”, shkruan NYT.
Një tokë bregdetare në zonën Pishë Poro-Nartë në Zvërnec të Shqipërisë, ditëve të fundit është kthyer në debatin kryesor publik të Tiranës dhe më gjerë.
Banorët e zonës së Zvërnecit, që nga e shtuna e 30 majit po protesojnë kundër punimeve për ndërtimin e një resorti miliardësh, duke ngritur shqetësime për dëmtim të ambientit dhe mos-marrëveshje mbi pronësinë e parcelës.
Protestat qytetare që filluan në Zvërnec janë transferuar edhe në kryeqytetin e Tiranës, ku shumë qytetarë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile u mblodhën para objektit të Qeverisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit shqiptar, Edi Rama.
Angazhimi i madh i mediave greke dhe i autoriteteve helene për t’i dhënë jehonë këtyre ngjarjeve ka ngritur dyshime serioze se shqetësimet qytetare burojnë në Athinë, nga ku kanë ardhur edhe reagime zyrtare për lëndimin e një qytetari me shtetësi të dyfishtë greko-shqiptare.
Kryeministri Rama fillimisht i cilësoi protestat si të pakuptimta dhe e mbrojti projektin për ndërtimin e resortit, duke e cilësuar si një nga më të rëndësishmit për turizmin shqiptar.
Zona në të cilën planifikohet të nisin punimet konsiderohet prej atyre me rëndësi të natyrore, duke qenë se e njëjta është strehë për habitate të rëndësishme të Shqipërisë, si zogj të ujit dhe migratorë.
Punimet janë rezultat i planeve të më hershme të Jared Kushner, dhëndër i Presidentit amerikan, Donald Trump dhe figurë me peshë politike në SHBA, i cili qysh në vitin 2024 ka deklaruar se dëshiron të investojë dhe ndërtojë në tokën shqiptare.









