Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës do t’i drejtohen përsëri Gjykatës Kushtetuese në lidhje me procesin e konstituimit të Kuvendit, pasi që aktgjykimi i 26 qershorit për këtë proces po interpretohet ndryshe nga opozita dhe ndryshe nga pushteti.

Memli Krasniqi, Kryetar i PDK-së, tha se partia që ai drejton do të dorëzojë të sot në Kushtetuese një rast të ri, pasi që vlerësojnë se tri seancat e fundit, VV-ja ka shkelur aktgjykimin e Kushtetueses.

“Tri vazhdimet e fundit të seancës konstituive kanë qenë shkelje e qëllimshme dhe me vetëdije e kushtetutës nga ana e kryesuesit të seancës [Avni Dehari], me instruksione të partisë së tij dhe ne nuk mund të qëndrojmë duarkryq. Për këtë arsye, sot gjatë ditës do ta dorëzojmë rastin e ri në Gjykatë [Kushtetuese]”, deklaroi Krasniqi në një konferencë për media.

Për të njëjtën çështje, Kushtetueses do t’i drejtohet edhe LDK.

“Edhe aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese por edhe Kushtetuta janë duke u shkelur në seancat e fundit”, potencoi deputeti i LDK-së, Alban Zogaj.

Përveç partive opozitare, edhe VV ka paralajmëruar se do të dërgojë lëndë në Kushtetuese. Ndryshe nga PDK dhe LDK, VV do të kërkojë një interpretim të ri nga Gjykata Kushtetuese lidhur me mungesën e pjesëmarrjes së deputetëve opozitarë në procesin e votimit për themelimin e Komisionit për Votim të Fshehtë.

Deputetja e VV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se interpretimi aktual i Kushtetueses, ka krijuar më shumë paqartësi sesa sqarime në rrethanat politike të krijuara në Kuvend.

“Është më se e domosdoshme edhe një adresim i gjykatës në situatën aktuale tashmë në mos pjesëmarrjen në votim nga partitë opozitare”, deklaroi ajo para dy dite.

Ndryshe, vendimi i Kushtetueses – i publikuar më 26 qershor – ndonëse i njëjtë për të gjithë, u interpretua ndryshe nga partia në pushtet, e ndryshe nga opozita. Të gjitha palët pretenduan se Kushtetuesja u dha të drejtë qëndrimeve të tyre.

Kundërshtime pati sa i përket procesit të votimit të fshehtë, i iniciuar nga VV. Pushteti thekson se Kushtetuesja nuk e shpalli anti-kushtetues këtë proces, derisa opozita vlerëson se e shpalli anti-kushtetues.

Sa i përket procesit të konstituimit të Kuvendit, përfaqësues të partive opozitare e kanë fajësuar vazhdimisht VV-në për bllokadën e krijuar. VV ka propozuar Albulena Haxhiun si kandidate për Kryetare të Kuvendit, e cila nuk po i merr votat e nevojshme për të marrë drejtimin e legjislativit. Opozita nga ana tjetër e ka bërë të qartë se nuk do ta përkrahin kandidaturën e Ministres në detyrë të Drejtësisë.

Që nga mbajtja e seancës së parë konstituive më 15 prill, janë mbajtur 41 seanca për këtë proces, mirëpo pavarësisht kësaj partitë politike nuk kanë arritur të zgjedhin kreun e legjislativit.