Ish-Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, Liburn Aliu, është emëruar drejtor i Porit të Durrësit, raportojnë mediat në Shqipëri.

Aliu është emëruar në këtë pozitë me vendim të Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, Belinda Balluku.

Aliu kishte dhënë dorëheqje nga pozita e Ministrit të Infrastrukturës më 27 gusht të këtij viti. Ai kishte thënë se ky vendim kishte ardhur pas zgjedhjes së Dimal Bashës Kryetar i Kuvendit.

“Konsideroj që zgjedhja e djeshme e Kryetarit të Kuvendit, institucionit më të lartë, ku vendosen ligjet dhe jep llogari qeveria, nuk është në frymën e në lartësinë e atij ideali për Republikën që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua”, shkruante Aliu më 27 gusht.