Kuvendi i Kosovës do të tentojë të konstituohet të mërkurën, me gjithë deklarimet se tashmë afatet kushtetuese janë shkelur.

Seanca e parë filloi më 8 gusht, por Vetëvendosje kërkoi shtyrje, për shkak se kërkonte kohë për negociata për marrëveshje që çon në zgjedhjen e presidentit – ndonëse ai është te hapi i tretë me radhë, pas kryetarit të Kuvendit dhe Qeverisë.

Kjo çoi në protesta në sallë dhe në rrugë nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca.

Kreu i VV-së u gjuajt me vezë në Kuvend nga deputetja Time Kadriaj dhe më pas, në sallën e Kuvendit, deputetët e PDK-së dhe Vetëvendosjes patën një ditë të tërë përplasjesh verbale për thirrjen e seancës.

Në rendin e ditës janë dy pika: zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.

Përveç VV-së, pjesëmarrjen në këtë seancë e kanë konfirmuar edhe dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Aleanca e Ardian Gjinit ka treguar se nuk do të jetë pjesë e kësaj seance.

“Pjesëmarrja jonë në seancë ndodh për shkak të ngjarjes që e kemi si vend, pra 16 shtatorit. Ne do të shkojmë nesër për ta konstituar Kuvendin, në mënyrë që kur merret vendimi për ish-krerët e UÇK-së, Kosova të ketë të paktën Kuvendin. Prandaj, do ta bëjmë këtë lëshim”, ka deklaruar Përparim Gruda nga PDK.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka bërë me dije se partia e tij do të votojë kandidatin e VV-së për kryetar dhe kandidatët për nënkryetarë.

“Ne si LDK e votojmë”, është shprehur Haziri.

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka paralajmëruar se cilido vendim i seancës konstituive, që do të mbahet të mërkurën, do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.

Në emisionin “Debat Plus”, ai ka deklaruar se edhe nëse kjo legjislaturë e zgjedh presidentin, vendimi do të shkojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

“Matematikisht ka gjasa që bëhen 80 deputetë që rrinë në sallë. Ama unë po ju tregoj që nuk ka kurrfarë gjasa më, as teorike, që kjo çështje të mos shkojë në Gjykatën Kushtetuese. Çfarëdo vendimi që do të marrë ky Kuvend tash është jokushtetues dhe i jashtëligjshëm. Edhe nëse kanë me zgjedhë presidentin, do të shkojë në GJK dhe do të ndodhë siç ka ndodhur më herët, të shpallet nul”, ka deklaruar Gjini.

Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku arritën një marrëveshje për presidentin, por ajo ka mbetur pezull, pasi të paktën 6 deputetë të LDK-së e kanë kundërshtuar emrin e Bekim Sejdiut dhe formën e arritjes së pajtimit.

Ata janë etiketuar nga kreu i partisë, Lumir Abdixhiku, si njerëz që po dëshirojnë ta çojnë vendin në zgjedhje, dhe, si për habi, për zhvillimet në LDK i raportonte Kurtit.

Në një intervistë për VOX KOSOVA, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, konfirmoi se Abdixhiku e dinte para se ta shpallte marrëveshjen se nuk i ka krejt votat e Grupit Parlamentar.