Policia e Kosovës ka thënë se origjina e kërcënimit ndaj Kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, e publikuar në rrjetet sociale nga organizata terroriste “Servena Brigada” (“Brigada e Veriut”), është nga bërë nga territori i Serbisë.

Në njoftimin e Policisë thuhet se drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, pasi që ka pranuar informacionin për kanosje ndaj Kryeministrit Kurti nga organizata terroriste, në koordinim me Prokurorinë Speciale të Kosovës, menjëherë janë ndërmarrë veprime intensive hetimore, me mbështetjen edhe të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike.

“Nga hetimet e kryera është konstatuar se kanosja është publikuar përmes llogarisë Severna Brigada. Bazuar në të dhënat e siguruara, postimi është bërë nga territori i Republikës së Serbisë, konkretisht nga qyteti i Kralevës në Republikën e Serbisë”, theksohet aty.

Nga Policia bëjnë me dije se janë identifikuar IP-adresa e përdorur dhe të dhënat personale të përdorura gjatë regjistrimit.

“Nga analizat e kryera nga njësitë kompetente janë identifikuar të dhëna shtesë që mund të ndihmojnë në hetimin intensiv të mëtejshëm nga Policia e Kosovës dhe PSRK”, shtohet aty.

Në lidhje me këtë çështje të premten foli edhe Kurti. Ai deklaroi se kërcënimi nga kjo organizatë terroriste është dëshmi se pjesëtarët e saj nuk kanë vend në Kosovë.

“Ne i kemi shpallur ata organizatë terroriste më 29 qershor të vitit 2023, dhe këto kërcënime që bëjnë janë dëshmi e fundit që ata janë ashtu siç i kemi shpallur dhe se nuk kanë vend në Republikën e Kosovës. Të gjithë pjesëtarët e të ashtuquajturave ‘Brigada Veriore’ janë kriminelë, janë terroristë, të cilët kanë kryer zullum në Kosovë në të kaluarën, por koha e tyre në Republikën tonë ka përfunduar”, potencoi ndër të tjera Kurti.