“Kurti po e bën Kosovën një problem për Evropën”, ky është titulli që media zviceran, Blick, i ka vënë artikullit për zgjedhjet e treta në vetëm 18 muaj në Kosovë, në të cilat, sipas rezultateve preliminare, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë humbur rreth 150 mijë vota për vetëm pak mbi 5 muaj.
Mediumi zviceran i atribuon zgjedhjet e 7 qershorit konfliktit mes Kurtit dhe ish-Presidentes Vjosa Osmani.
“Konflikti mes dy politikanëve është një nga arsyet pse Kosova duhet të mbajë edhe një palë zgjedhje. Pasi Kuvendi nuk arriti të pajtohej për një pasardhës të Osmanit në postin e presidentit, shumica politike u shemb. Nuk mund të formohej një koalicion. Rezultati ishte edhe një palë zgjedhje – të tretat brenda vetëm 18 muajsh”, shkruan Blick.
Blick e përshkruajnë Kurtin si “një simbole shprese” që është kthyer në “faktor përçarës”, duke theksuar se nga një politikan që në vitin 2021 premtonte luftë kundër korrupsionit dhe mbrojtje të sovranitetit përballë Serbisë, ai është kthyer në një “problem në politikën e jashtme”.
“Tensionet, veçanërisht në Veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, i tensionuan marrëdhëniet me partnerët perëndimorë. Si Bashkimi Evropian ashtu edhe Shtetet e Bashkuara e akuzuan vazhdimisht Kurtin se po vepronte pa koordinim të mjaftueshëm dhe po përshkallëzonte pa nevojë konfliktet ekzistuese”.
Blick konsideron se Kurti ka thyer besimin ndërkombëtar për Kosovën, teksa thekson se një i tillë është jashtëzakonisht i nevojshëm për rrugën e Kosovës në institucione euroatlantike.
“Rruga drejt anëtarësimit në BE dhe NATO kalon në mënyrë të pashmangshme përmes marrëdhënieve të mira me Brukselin dhe Uashingtonin. Por, Kurti e ka konsumuar pjesërisht pikërisht këtë besim gjatë viteve të fundit”, thuhet në një artikull të kësaj të diele në Blick.
Blick e trajton situatën politike në Kosovë si një moment historik që pasqyrohet si paradoks politik, pasi ndonëse një shtet me pozitë të veçantë gjeopolitike rrezikon të shpërdorojë këtë mundësi historike nëpërmjet “politikave të veta”.
“Kosova gjendet kështu në një moment të pazakontë të historisë së saj të re: vendi gëzon një avantazh gjeopolitik të rrallë. Megjithatë, në mënyrë ironike, politikat e veta rrezikojnë ta shpërdorojnë këtë mundësi historike”.









