Më 17 tetor, në ora 17:00, do të vazhdojë protesta kundër Gjykatës Speciale. Këtë radhë do të mbahet në Shqipëri, përkatësisht në Tiranë, te sheshi “Skënderbeu”.

Kjo protestë është thirrur nga Organizata e Veteranëve të Dalur nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK).

“Sot nga kjo tryezë ju drejtohemi të gjithë shqiptarëve, partive politike të bashkoheni me ne në këtë protestë paqësore në Tiranë. Le të ngrihemi të gjithë si një vend i vetëm që të ju kundërvihemi padrejtësive”, ka thënë Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, në një konferencë për media në Tiranë.

Protesta në kryeqytetin e Shqipërisë mbahet pas atyre që u organizuan në Prishtinë dhe në Hagë, ku dhjetëra mijëra njerëz protestuan kundër Gjykatës Speciale dhe në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

Që nga 5 nëntori i 2020-së, në qendrën e paraburgimit në Hagë ndodhen katër ish-krerë të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të akuzuar nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara lufte dhe kundër njerëzimit.