Si përpjekje për “shtrembërim të historisë” e ka konsideruar Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, procesin gjyqësor të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Këto komente, Konjufca i bëri në një prononcim për gazetarët nga Haga, përkatësisht para objektit të Gjykatës Speciale, ku do të marrë pjesë gjatë fjalëve përfundimtare të krerëve të UÇK-së.

“Çka po përpiqet të ndodhë brenda kësaj gjykate është shtrembërimi i historisë, sepse edhe baza mbi të cilën u ndërtua kjo gjykatë që është raporti i Dick Marty-t doli një raport gënjeshtër me plotë të pavërteta për trafikim të organeve nga ana e UÇK-së, dhe mbi këtë bazë u ndërtua kjo gjykatë”, tha Konjufca.

Kryediplomati kosovar u shpreh i bindur se “nuk kishte Ndërmarrje Kriminale në UÇK”. “Kjo është e vërteta dhe kjo e vërtetë ka me dalë në këtë gjykatë. Nuk ka në zemër të UÇK-së Ndërmarrje Kriminale. UÇK-ja ka qenë ushtri e drejtë, e krijuar drejtpërdrejtë prej popullit të Kosovës. Prej askujt prej lartit nuk është krijuar UÇK-ja”.

“Ne shpresojmë shumë që verdikti do të jetë në përputhje me historinë dhe lavdinë e UÇK-së”, deklaroi ai.