Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, po thotë se është e gatshme të bëjë gjithçka që ka në dorë, në mënyrë që vendi të mos shkojë në zgjedhje.

Ndonëse është partia në të cilën ajo është anëtare, Lëvizja Vetëvendosje, arsyeja kryesore që vendi është në këtë bllokadë institucionale.

Gjithsesi, ajo beson se do të gjejnë një rrugë.

“Si kryetare do të bëj gjithçka që është në dorën time që vendi të mos shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, të gjejmë një rrugë të përbashkët dhe të kemi një qëndrim të përafërt e konsensus në raport me zgjedhjen e presidentit”, deklaroi Haxhiu para mediave.

Madje, ndryshe çka nuk ka përfaqësuar në karrierën e saj politike, Haxhiu po beson se nuk është koha për lojëra e inate.

“Kemi shumë punë për të bërë, nuk është koha të bëjmë lojëra politike apo të kemi inate me njëri-tjetrin. Uroj që më 4 prill të kemi një president të zgjedhur me mandat të plotë dhe jo ushtrues detyre, por natyrisht që, sipas rrethanave, do t’i adresoj përgjegjësitë e mia në përputhje me Kushtetutën”, tha Kryetarja e Kuvendit.

Albulena Haxhiu këtë deklarim për media e bëri gjatë pjesmarrjës së saj në konferencën hapëse të Javës së Gruas (WoW) 2026.