Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) i kanë kushtuar mbi 18 milionë euro proceset zgjedhore gjatë këtij viti, derisa nuk kanë bërë ndonjë planifikim për zgjedhjet të reja parlamentare të cilat janë paralajmëruar se mund të mbahen.

Sipas të dhënave zyrtare që KQZ-ja i ka dërguar VOX Kosovës, zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt 2025, kanë pasur një buxhet të planifikuar prej 8.7 milionë eurosh. Nga kjo shumë, 7.9 milionë euro janë tashmë të shpenzuara.

“…prej të cilave më shumë se 3.2 milionë euro ishin të planifikuara për procesin organizativ i realizuar gjatë muajve të vitit 2024 dhe rreth 5.5 milionë Euro për pjesën tjetër të procesit zgjedhor gjatë muajve të parë të vitit 2025. Sipas raporteve të deritashme, shuma e shpenzuar është rreth 7.9 milionë euro”, kanë thënë nga KQZ-ja.

Për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025, përfshirë edhe organizimin e raundit të dytë për kryetarë komunash, KQZ-ja ka planifikuar një buxhet prej mbi 10.5 milionë eurosh. Raporti përfundimtar i shpenzimeve pritet pas përmbylljes së procesit më 9 nëntor, kur zhvillohet raundi i dytë i votimeve.

“Sipas përvojës nga proceset e kaluara zgjedhore, zakonisht kostoja përfundimtare është më e ulët sesa ishte planifikuar”, kanë thënë nga KQZ.

Ligji i ri për Zgjedhjet e Përgjithshme, sipas KQZ-së, ka zgjeruar përgjegjësitë dhe rrjedhimisht edhe kostot e organizimit të zgjedhjeve, për shkak të kërkesave më të larta për transparencë dhe infrastrukturë teknologjike.

“Në Zgjedhjet për Kuvend dhe në Zgjedhjet Lokale janë funksionalizuar 38 Qendrat Komunale të Numërimit, të cilat janë vendosur kryesisht në palestra sportive. Funksionalizimi i këtyre QKN-ve është një kosto shtesë sepse procesi që zhvillohet duhet të jetë plotësisht transparent dhe në këtë drejtim janë të nevojshme sigurimi i kamerave, monitorëve, kompjuterëve, skanerëve dhe pajisjeve tjera përcjellëse”.

Nga ky institucion kanë sqaruar se shpenzimi kryesor i buxhetit nuk është vetëm për blerje të pajisjeve dhe të ngjashme, por pjesa më e madhe e mjeteve shpenzohet për të paguar trupat zgjedhore dhe stafin tjetër që angazhohet gjatë gjithë procesit zgjedhor.

Sa i përket zgjedhjeve të reja parlamentare, të cilat janë paralajmëruar se mund të mbahen, pasi që Albin Kurti dështoi për të krijuar Qeverinë në seancën e së dielës, KQZ-ja konfirmon se aktualisht nuk ka buxhet të planifikuar.

“Nëse do ketë zgjedhje të reja për Kuvendin e Kosovës, KQZ-ja do të përgatisë me kohë kërkesën buxhetore dhe do ta përcjellë për miratim në Qeveri. KQZ ka vepruar kështu edhe në rastet tjera kur kemi pasur zgjedhje të parakohshme apo që kanë ndodhur në një vit jo-zgjedhor”, kanë theksuar nga ky institucion.

Aktualisht, KQZ është e angazhuar në përmbylljen e procesit të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit dhe përgatitjen për raundin e dytë që do të mbahet më 9 nëntor.