Dikur, nga Prishtina e qytete të tjera, qytetarët e Kosovës i shfrytëzuan vagonët e trenit për të ikur nga tmerri që po e përjetonin nga aparati shtetëror serb.

Mijëra shqiptarë të Kosovës kishin kaluar me tren për në Maqedoni, sidomos pas marsit 1999, kur Serbia nisi ofensiva të reja dhe spastrimin etnik pas bombardimeve të NATO-s.

Shumica e refugjatëve ishin stacionuar në Bllacë të Maqedonisë.

Madje, vit për vit, kujtohet ky eksod.

Por Qeverisë Kurti nuk i ka prishur punë kjo dhe, 27 vjet pas eksodit, vagonët që i menaxhon shteti i Kosovës i riparon në Serbi.

Sipas një dokumenti të Ndërmarrjes Publike Trainkos, e cila është në varësi të Ministrisë së Ekonomisë, një delegacion nga kjo kompani ishte në vizitë në Serbi, ku vagonët u rinovuan.

“Më datën 06.10.2024 kemi bërë udhëtim për Serbi në punëtorinë remontuese Shin Voz d.o.o., në qytetin e Zrenjaninit të Serbisë. Komisioni, sipas vendimit nr. 472 të datës 21.09.2024, ka filluar punën në punëtorinë remontuese Shin Voz d.o.o. në Zrenjanin më datë 07.11.2024, duke filluar me testimin, sipas Udhëzimit 266, në vagonët në të cilët është kryer Riparimi i Mesëm (R.M.). Është konstatuar se vagonët e poshtëshënuar janë të dy (2) serive”, thuhet në një raport që e ka siguruar VOX Kosova.

Këta vagonë të rinovuar, me shumë pompozitet, fotografi dhe video i prezantoi ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Në faqen e ministrisë komentoi një punëtor i Trainkos.

“Është mirë me i tregu popullit se me pare të popullit janë renovuar në Serbi”, komentoi Asdren Ademi. Ai këtë reagim e kishte bërë në korrik, kur Ministria informoi për vënien në funksion të disa vagonëve të restauruar.

Menjëherë ka reaguar kryeshefi i kësaj ndërmarrjeje, Agron Statovci.

Në një email të siguruar nga VOX Kosova, Statovci u kërkon vartësve të tij që ta marrin në pyetje punëtorin Ademi për komentin e tij.

Kryeshefi urdhëron që, deri në përfundimin e procedurave, Ademit t’i ndalohet marrja e pushimit ditor apo vjetor.