Dokumente të shumta të ardhura nga Serbia janë pranuar si prova kundër katër liderëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Gjykatën Speciale.

Këto prova të propozuara nga ana e Prokurorisë përfshijnë artikuj mediatikë, video-intervista, raporte zyrtare, e madje edhe dosje të tëra të prodhuara nga struktura shtetërore të Serbisë.

Në kërkesën 50 faqëshe të ZPS-së dërguar në Gjykatë, zbulohet se të njëjtat kanë si burim MUP-in serb, Shërbimin e Sigurimit Shtetëror të njohur si BIA, të ashtuquajturën Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Arkivat Shtetërore të Ushtrisë dhe Policisë Serbe si dhe Gjykatat Ushtarake jugosllave të cilat aso kohe kontrolloheshin nga regjimi gjenocidial i Millosheviqit.

Sipas prokurorisë, këto dokumente janë të rëndësishme për të kuptuar strukturën e UÇK-së, lidhjet komanduese, si dhe për të ndërtuar një pasqyrë të asaj që ZPS e quan “politikë të organizuar ndaj kundërshtarëve politikë”.

Mbrojtja në anën tjetër ka kundërshtuar ashpër dokumentet me origjinë Beogradin.

Sipas avokatëve, këto dokumente përbëjnë propagandë shtetërore serbe, e përgatitur nga organet që ishin vetë pjesë aktive e luftës kundër popullatës shqiptare në Kosovë.

Këto dokumente sipas mbrojtjes janë të rrezikshme për drejtësinë pasi që nuk janë vërtetuar nga dëshmitarë, s’kanë burime të qarta, përmbajnë interpretime të njëanshme dhe përdorin gjuhë të politizuar.

“Si mund të konsiderohen të besueshme dokumente të prodhuara nga një regjim që vetë është hetuar për krime kundër njerëzimit?”, është pyetja që ka dominuar argumentimin e mbrojtjes.

Ndërkohë, Trupi Gjykues refuzoi të përjashtonte dokumentet nën arsyetimin e origjinës së tyre, duke argumentuar në tërësi se burimi i tyre në Serbi s’është arsye për t’i shpallur të papranueshme ato.

Sidoqoftë gjykatësit thanë se vlerësimi përfundimtar për peshën e këtyre dokumenteve do të bëhet në fund të gjykimit.

Edhe në të kaluarën, Gjykata Speciale ka pranuar dokumente të prodhuara nga institucionet serbe, përfshirë raporte të MUP-it dhe material të sekuestruar nga arkivat shtetërore.

Në 2023, paneli kishte miratuar dokumente që nuk ishin autentikuar përmes dëshmitarëve, përfshirë disa që buronin nga strukturat serbe të sigurisë.