Pesë policë janë arrestuar si të dyshuar për vdekjen 27 vjeçarit Agon Zejnullahu i cili ka ndërruar jetë në orët e para të së hënës të shtatë korrikut.
I riu nga Lipjani ishte prangosur nga policia për shkak të dyshimeve se po sulmonte automjete e kalimtarë, meqë dyshohej se ishte i dehur.
“Pesë zyrtarët policorë janë arrestuar si të dyshuar kurse me vendim të prokurorit të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet në njoftimin e IPK-së.
IPK-ja ka njoftuar do të ndërmerren edhe shumë veprime tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave lidhur me këtë incident si dhe priten edhe rezultatet e ekzaminimeve përfshirë ato mjeko-ligjore.
Ndërkaq ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se ka kërkuar angazhim urgjent dhe profesional nga IPK-ja si dhe bashkëpunim të plotë me policinë gjatë këtij hetimi.
“Bashkëpunimi mes Policisë së Kosovës, Inspektoratit Policor, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Prokurorisë është kyç për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë”, shkroi kreu i MPB-së në Facebook.
Ai ka theksuar se askush nuk është mbi ligjin, dhe kushdo që rezulton fajtor do të përballet me drejtësinë dhe do të marrë dënimin e merituar.
Në anën tjetër, familja e të ndjerit kanë akuzuar policët për “dhunë të tepruar” ndaj 27 vjeçarit dhe kanë kërkuar drejtësi.
“Nga dhuna e tepruar e policëve ka ardhur deri te vdekja edhe në bazë të videos siç duket”, tha për mediat në Prishtinë vëllai i të ndjerit, Albani, teksa pati edhe një mesazh për organet e drejtësisë.
“Nëse nuk e merr shteti në dorë, na kemi me marrë këtë rast, e them më bindje të plotë”, potencoi Zejnullahu.
Në rrjetet sociale janë publikuar pamje nga momenti i arrestimit të tashmë viktimës i cili dyshohej se në gjendje të dehur kishte filluar të sulmonte automjete dhe kalimtarë të rastit.
Ky nuk është rasti i parë ku zyrtarët policorë dyshohen për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.
Në fillim të këtij muaji, në rrjetet sociale dolën pamje që tregonin dhunën e ushtruar të një zyrtari policor ndaj një personi të prangosur.