Një ish-këshilltar i Albin Kurtit gjatë mandatit të tij të parë në qeveri, Durim Berisha, ka deklaruar se është anëtarësuar në Partinë Demokratike të Kosovës. Megjithatë, në një postim të tij, ka thënë se nuk do të mbështesë asnjërin nga kandidatët e kësaj partie që do të garojnë në zgjedhjet e 28 nëntorit.

Ai ka folur për disa njerëz brenda PDK-së të cilët, sipas tij, janë kalkulues që presin nga Kurti t’i marrë në koalicion.

“Më lejoni t’ju njoftoj se, si anëtar i ri i PDK-së, në zgjedhjet që po vijnë – nuk e përkah asnjërin nga kandidatët e saj. Ne duhet ta kuptojmë se kemi humbur në seri që nga viti 2014. Njerëz brenda PDK-së mbajnë përgjegjësinë për këto dështime serike, por edhe për dështimin për t’i ofruar qytetarit atë që i patëm premtuar para se t’i fitonim zgjedhjet në vitin 2007. Ata duhet të kuptojnë se janë humbësit dhe fajtorët. Thjesht, qytetari nuk i do”, ka shkruar ai.

Berisha ka thënë gjithashtu se “përsëritja e të njëjtave gabime”, me aderime, sipas tij, “spektakolare”, nuk sjell ndryshim.

“Kalkuluesit e humbjes së radhës – me shpresën se Albin Kurti do të tregohet i mëshirshëm dhe do t’i pranojë në koalicion – qëndrojnë në PDK vetëm për përfitime personale”. Për asnjë qëllim tjetër. Të tillët nuk meritojnë të përkrahen. Prandaj, nuk do ta kenë përkrahjen time”, ka shkruar ai.

“Nuk kam ardhur në PDK për ta përsëritur gabimin e viteve 2007–2009, kur shpresoja se X apo Y do të ishin bartës të përgjegjshëm të pushtetit. Votën dhe mbështetjen time nuk e merr askush që nuk është dëshmuar si i dobishëm për këtë shoqëri”, ka deklaruar Berisha.