Edhe deputetja e zgjedhur e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli Dalipi është intervistuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës në lidhje me dyshimet për keqpërdorime me grante nga Ministria e Bujqësisë. Kjo është konfirmuar për VOX Kosova nga Prokuroria Speciale. Për të njëjtën çështje, sot (e premte, 30 janar) është marrë në pyetje edhe ish-ministri i Bujqësisë, Faton Peci.

Përveç dy të lartëpërmendurve, nga organi i akuzës në pyetje janë marrë edhe zyrtarë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë. Të njëjtit janë thirrur në cilësinë e dëshmitarëve.

Në nëntor të vitit 2024, ishte kuptuar se Ministria e Bujqësisë nën drejtimin e Faton Pecit u kishte dhënë grante dajës dhe vëllaut të Fitore Pacollit, e cila në atë kohë mbante pozitën e Kryetares së Komisionit Parlamentar për Bujqësi.

Përveç saj, grant kishte fituar edhe Naim Huruglica, ish-këshilltar i Pecit.