Deri në një postim të Presidencës të së premtes, në sallën e takimeve zyrtare qëndronte ende Deklarata e Pavarësisë. Në fotografitë e publikuara pas tij, vendi i saj është zënë nga një punim filigrani, një rrjetë e hollë metali e ngritur aty ku deri tani qëndronte teksti i 17 shkurtit 2008. Pak më tutje, anash, është fotografia e Ibrahim Rugovës. Ajo nuk është hequr, është shtyrë. Në gramatikën e një salle shtetërore, vendi ku qëndron një objekt thotë më shumë se çdo komunikatë.
Punimi është i Simon Shirokës (1927–1994), mjeshtër prizrenas që zejen tradicionale të filigranit e ngriti në art pamor, me vepra të ekspozuara në Kosovë dhe jashtë saj. Ai ishte babai i presidentes Justina Shiroka-Pula, e cila prej vitesh angazhohet për ruajtjen e krijimtarisë së tij. Asgjë nga kjo nuk është çështja. Çështja është aritmetika e murit: një vend, dy objekte dhe një zgjedhje.
Deklarata e Pavarësisë ishte vendosur aty nga ish-Presidenti Fatmir Sejdiu, nën mandatin e të cilit u shpall pavarësia. Ajo qëndoi aty edhe kur u ndërruan Presidentët. E mbajti Behgjet Pacolli, Atifete Jahjaga, Hashim Thaçi dhe Vjosa Osmani. Fotografia e Rugovës u vendos nga Osmani. Secili president kishte shtuar, askush nuk kishte zëvendësuar. Te një shtet i ri, ky grumbullim i qetë është mënyra e vetme që institucionet kanë për të krijuar kujtesë. Muri i Presidencës mbante pra njëkohësisht një akt themelues dhe fytyrën e njeriut që LDK-ja e quan Atin Themelues.
Justina Shiroka-Pula e mori detyrën më 7 tetor, pas një nate të gjatë në Kuvend. U zgjodh me 81 vota, disa minuta pas skadimit të afatit kushtetues, si zgjidhje kompromisi mes Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës, në mënyrë që pushteti ta votonte në lexim të dytë Ligjin për Gjykatën Speciale.
Nuk është e nevojshme të hamendësohet qëllimi i këtij ndryshimi. Efekti mjafton. Sepse, salla e takimeve zyrtare nuk flet në emër të një personi. Flet në emër të Republikës, dhe cilido që ulet para saj lexon se çfarë i konsideron shteti themel të vetin. Kur një akt shtetëror zhvendoset dhe në vendin e tij hyn një punim i familjes së kreut të shtetit, mesazhi lexohet pavarësisht se dikush nuk e ka dashur.
Mbrojtja më e fortë është e ndershme dhe duhet marrë seriozisht. Çdo President ka të drejtë ta rregullojë zyrën e vet dhe filigrani është pjesë e trashëgimisë kulturore kombëtare. Një institucion shtetëror mund ta tregojë zejen që e përfaqëson. Por, ky argument vlen për shtimin, jo për zëvendësimin. Salla ka mure, vitrina dhe tavolina, kështu që Deklarata nuk garonte me filigranin për një vend. Është pikërisht kjo që e bën zgjedhjen domethënëse. Pse duhet të trajtojet Deklarata e Pavarësisë si element dekorativ që mund të zëvendësohet me vepra arti?
Ironia e këtij episodi është se dëmin më të madh ndoshta e pëson vetë punimi. Vepra e një artisti që mund të nderohej me meritën e saj lidhet tani me një akt largimi.
Të nderosh babanë është njerëzore. Ta nderosh duke e larguar të përbashktën e një vendi është diçka tjetër.









