Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka nënshkruar peticionin e Institutit të Kosovës për Drejtësi, për respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe kërkimin e përgjegjësisë për moszbatimin e tyre.
Rama ka bërë të ditur se i është bashkuar qytetarëve në nënshkrimin e këtij peticioni, duke drejtuar akuza ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
“Ky Kryeministër ka shpërfillur vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ka refuzuar dhe përçmuar prokurorët e Republikës së Kosovës dhe ka përdorur paranë publike për përfitime elektorale”, ka shkruar Rama.
Sipas tij, këto veprime nuk janë vetëm shkelje, por përbëjnë rrezik për demokracinë dhe shtetin.
“Prandaj sot iu bashkova qytetarëve dhe nënshkrova peticionin që kërkon përgjegjësi penale për moszbatimin e qëllimshëm të vendimeve të Kushtetueses dhe keqpërdorimin e parasë publike për përfitime elektorale”, ka deklaruar ai.
Rama ka thënë se nënshkrimi i peticionit nga qytetarët dëshmon, sipas tij, rritjen e vetëdijes qytetare se askush nuk është mbi Kushtetutën dhe ligjin.
“Paraja publike nuk është pronë partiake”, ka theksuar ai, duke shtuar se Kosova nuk është pronë e një partie, e aq më pak e një njeriu.









