Deputeti i Listës Serbe, Slavko Simiç, ka dështuar sërish që të zgjidhet nënkryetar i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb. Simiç në të tria votimet nuk i ka marrë votat e nevojshme.
Në votimin e parë, Simiç mori 9 vota për, 54 kundër, 42 abstenime. Në të dytin 9 për, 54 kundër dhe 41 abstenime, ndërsa në votimin e tretë: 9 për, 53 kundër, 41 abstenime.
Pas Simiçit, Lista Serbe ka propozuar Zlatan Elek-un.
Seanca e së premtes për konstituimin e Kuvendit po mbahet pas një muaj e gjysmë, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese – i treti për këtë proces.
Konstiutuimi i Kuvendit ka ngecur të zgjidhja e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.
Në Aktgjykimin që u publikua të mërkurën për çështjen e konstituimit të Kuvendit, u dha deputetëve të Kuvendit 12 ditë kohë për ta përfunduar procesin.









