Deputetët e Listës Serbe kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese një ankesë për, siç thonë ata, “shkelje të rëndë të të drejtave të popullit serb në seancat e Kuvendit”.
Kjo ankesë e tyre vjen pasi që Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, nuk ua lejoi propozimin më shumë se tri herë të një kandidati për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit jo shumicë serb. Më pas, ai aplikoi procedurat për përzgjedhjen e kandidatit me short.
“Parimet kushtetuese dhe demokratike janë cenuar rëndë, ndërsa popullit serb i është pamundësuar realizimi i të drejtave të tij të garantuara. Presim që Gjykata Kushtetuese të reagojë urgjentisht dhe të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e sundimit të ligjit, si dhe të drejtave të popullit serb, në përputhje me aktet ligjore në fuqi”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.
Basha e aplikoi procedurën me short, pasi që tha se një kandidat nuk mund të votohet më shumë se tri herë, duke u thirrur në aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese. Nga ana tjetër, Lista Serbe tha se ky aktgjykim nuk vlen për çështjen e nënkryetarëve, prandaj insistuan që kandidat i vetëm i tyre të jetë Slavko Simiç.