Nga 9 deri më 13 shkurt, në sallën e seancave të Gjykatës Speciale do të dëgjohen fjalët përfundimtare të palëve në procesin kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Pas prezantimeve nga mbrojtjet dhe prokuroria, paneli do ta cilësojë procesin dëgjimor si të mbyllur dhe do të hyjë në fazën e shqyrtimit për aktgjykim.
Sipas zyrtarëve të Speciales, aktgjykimi duhet të shpallet brenda 90 ditëve nga përfundimi i fjalëve përfundimtare. Nëse rrethanat e kërkojnë, mund të jepet edhe një afat shtesë prej 60 ditësh.
“Deklaratat përmbyllëse janë planifikuar të mbahen nga data 9 deri më 13 shkurt 2026. Pas kësaj, trupi gjykues do ta mbyllë çështjen dhe do të hyjë në fazën e shqyrtimit për të arritur një aktgjykim. Aktgjykimi duhet të shpallet brenda 90 ditëve nga mbyllja e çështjes. Kur rrethanat kërkojnë kohë shtesë, është e mundur një zgjatje prej 60 ditësh të tjera,” ka thënë, Michael Doyle, zëdhënësi i Speciales në një paraqitje të rregullt mediale.
Sipas këtyre afateve, vendimi pritet të jepet deri në mesin e muajit maj. Nëse jepet një zgjatje prej 60 ditësh, atëherë edhe muaji korrik mbetet opsion.
Krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë hyrë në vitin e gjashtë të mbylljes në Qendrën e Paraburgimit në Hagë. Dy vjet e gjysmë ata i kaluan në procesin paragjyqësor, ndërsa në prill 2023 filluan seancat gjyqësore, të cilat përfunduan vetëm në nëntor, me dëshmitarët e mbrojtjes.
Ky konsiderohet një nga proceset më të gjata gjyqësore në drejtësinë ndërkombëtare, nëse merret parasysh koha nga arrestimi deri te vendimi final i shkallës së parë.
Procesi në Hagë është përcjellë me kritika të mëdha jo vetëm nga qytetarët e Kosovës, të cilët morën pjesë masivisht në protesta në Prishtinë, Tiranë, Hagë dhe Strasburg, por edhe nga ekspertë e politikanë ndërkombëtarë, të cilët e kanë vlerësuar atë si një gjykim me shumë shkelje të të drejtave të njeriut.








