Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara pritet të mbajë të martën, në orën 21:00, një mbledhje për shqyrtimin e raportit gjashtëmujor të Misionit të OKB-së në Kosovë.
Një praktikë e vjetër që vazhdon edhe më shumë se 18 vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Shtete mike të Kosovës, si SHBA-ja dhe Britania e Madhe, kishin folur në mbledhjet e mëhershme për nevojën që UNMIK-u ta mbyllë misionin dhe që edhe Këshilli i Sigurimit të mos mblidhet më për diskutime rreth Kosovës.
“Pas një çerek shekulli, UNMIK-u e ka tejkaluar mandatin e tij dhe SHBA-ja bën thirrje që Këshilli i Sigurimit të rishqyrtojë çështjen e UNMIK-ut dhe të punojë për ta shuar atë. Ka kërkesa më të mëdha në Këshillin e Sigurimit dhe këto brifingje duhet të bëhen vjetore dhe private. Ne i bëjmë thirrje UNMIK-ut që, në raportimet e ardhshme, të mbajë një qëndrim neutral, që të reflektojë më mirë paanshmërinë”, kishte deklaruar në vitin 2024 përfaqësuesi i SHBA-së në Këshillin e Sigurimit, Robert Wood.
“Përshëndes përpjekjet e Qeverisë për luftën ndaj korrupsionit, duke thënë se mbështesin rezolutën 1244 por kushtet në terren janë të papranueshme që nga viti 99 dhe koha tregon që nevojitet një rishikim të statusit të UNMIK-ut dhe përshtatjet në terren”, ishte shprehur përfaqësuesi i Britanisë në një nga mbledhjet.
Para se të vinte në pushtet, Albin Kurti dhe partia e tij kishin zhvilluar një betejë të gjatë kundër këtij misioni, duke kërkuar largimin e tij dhe duke e cilësuar si kolonizator.
Por, që nga ardhja në pushtet, kjo retorikë ka pushuar së ekzistuari.
Raporti i UNMIK-ut, i cili paraqitet të martën në Nju Jork, mbulon periudhën nga 16 marsi deri më 15 shtator të këtij viti, ndërsa mbledhja e fundit e Këshillit të Sigurimit kushtuar zhvillimeve në Kosovë ishte mbajtur më 9 prill.
Sipas dokumentit, gjendja e përgjithshme e sigurisë në Kosovë ka mbetur stabile.
Megjithatë, raporti vë në pah vazhdimin e bllokadës institucionale dhe përparimin e kufizuar në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, raporton Nacionale.
Aty përmenden edhe zhvillimet në sistemin e drejtësisë, përfshirë arrestimin e disa personave serbë të dyshuar për krime lufte, si dhe dënimin e tre personave për sulmin terrorist në Banjskë.
Gjithashtu, dokumenti trajton mbylljen e institucioneve paralele serbe që kanë vepruar ilegalisht në territorin e Kosovës.
Ndër çështjet e tjera të përmendura është edhe njoftimi i KFOR-it për tërheqjen graduale të pranisë së përhershme nga ura kryesore mbi lumin Ibër. Po ashtu, raporti përfshin edhe angazhimin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në masat e sigurisë pranë Manastirit të Deçanit.









