Ramiz Lladrovci është rikthyer në Partinë Demokratike të Kosovës.
Këtë e njoftoi Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, i cili publikoi një fotografi me Lladrovcin dhe Kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.
“Në takim me mikun tim, zemërhapur, ritheksuam pa kushte se Ramiz Lladrovci ka qenë, është dhe mbetet PDK”, shkroi Hamza në Facebook.
Drenasi, i cili më 12 tetor u fitua nga Lladrovci si kandidat i pavarur, Hamza tha se është “komuna e shtatë ku vizioni i heronjve tanë të luftës dhe paqes vazhdon të jetë bastion i fitoreve, në zemrën e Kosovës”.
“Energjitë e bastionit të UÇK-së dhe PDK-së, në Drenasin e dëshmorëve dhe martirëve, me qeverisjen e shkëlqyer, do të jenë dëshmi e unitetit tonë për fitoren e 28 Dhjetorit. Të bashkuar, gjithmonë të fituar!”, theksoi ai ndër të tjera.
Ky zhvillim vjen pas vizitës që Ahmeti e pati sot në Drenicë, ku u takua fillimisht me Lladrovcin dhe më pas me Kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtaku. Lladrovci dhe Lushtaku nuk kanë pasur marrëdhënie të mira që një kohë, madje kanë bërë akuza tejet të rënda ndaj njëri tjetrit.
Lladrovci kishte prishur raportet me udhëheqësin e PDK-së, kur Memli Krasniqi ishte kryetar.
Në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, Lladrovci garoi për Kryetar të Drenasit me iniciativë qytetare dhe fitoi pa balotazh, pasi që PDK-ja nuk e miratoi kandidaturën e tij, por atë të Petrit Hajdarit.
Lladrovci kishte paralajmëruar se do të kandidonte me listë të tij në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në qoftë se udhëheqësia e kësaj partie nuk reflekton. Madje, thoshte se “do ta thyej në kurriz PDK-në”.
Por, tani pas dorëheqjes së Krasniqit dhe ardhjes së Hamzës në krye të PDK-së, Lladrovci, siç u njoftua, do të qëndrojë në PDK.









