Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës do të mblidhet për të diskutuar e vendosur mbi dy çështje kryesore: bashkëpunimin ose jo me Listën e ish-Presidentes, Vjosa Osmani, si dhe situatën e koalicionit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, me Partinë Demokratike të Kosovës. Mbledhja e Kryesisë së partisë mbahet këtë të martë (5 maj) me fillim nga ora 16:00.
Në lidhje me modalitetet e bashkëpunimit me LDK-në për zgjedhjet e 7 qershorit, Ish-Presidentja, Vjosa Osmani, ka thënë se nuk ka kërkuar që emrat nga lista e saj të futen në top dhjetëshen e Listës së LDK-së. Ajo nuk ka treguar as se a do të garojë për Presidente apo për deputete.
“Nuk është mirë me spekulu. Unë nuk kam kërkuar kurrë asnjë pozitë nga askush”, deklaroi ajo.
Një situatë tjetër që preokupon Lidhjen Demokratike të Kosovës është çështja e koalicionit në pushtetin lokal në kryeqytet. Kryetari i degës së PDK-së në Prishtinë, Uran Ismaili, deklaroi se kanë arritur marrëveshje për bashkëqeverisje në Prishtinë me partinë që udhëheq me kryeqytetin.
Megjithatë, LDK tha se “nuk ka asnjë koalicion me PDK-në” dhe se “çdo marrëveshje tjetër nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të partisë”.









