Tirana nuk ka pasur tjetër temë të enjten, përveç Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, procesit kundër krerëve të saj në Hagë dhe protestës që mbahet sot – në kërkim të drejtësisë.
“Unë jam UÇK”, është motoja e protestës që do të mbahet nga ora 17:00 në Sheshin “Skënderbej”.
Krerët e institucioneve të Shqipërisë, përfshirë Kryeministrin Edi Rama, ministra, deputetë e figura publike, kanë mbështetur protestën dhe kanë bërë thirrje për pjesëmarrje.
Organizata të ndryshme, grupe tifozësh si “Kuq e Zi” dhe “Dardanët”, si edhe lideri i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, Ali Ahmeti, kanë përkrahur e marrin pjesë.
Nga Kosova, partitë politike, përjashto Vetëvendosjen kanë konfirmuar mbështetjen e pjesëmarrjen.
Koordinatori i protestës, Shkëlqim Hajdari, ka treguar kush do të jenë folësit në sheshin “Skënderbej”.
Sipas tij, protestuesve do t’u drejtohet kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, si edhe lideri i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, Ali Ahmeti.
“Nuk do të ketë shumë folës, nuk do të ketë politikanë. Protesta do të hapet nga kryetari i Organizatës së Veteranëve, Hysni Gucati, dhe do të mbyllet, jo si politikan, por si ish-udhëheqës i luftës si në Kosovë, ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti”, ka thënë ai për Klan Kosova.
Ai ka bërë me dije se masës do t’i drejtohet edhe ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu.
“Sigurisht do të flasë ish-presidenti Alfred Moisiu dhe përfaqësues të dëshmorëve të Shqipërisë që kanë rënë në luftën e zhvilluar në Kosovë dhe në Maqedoni”, ka shtuar Hajdari.
Kjo është protesta e tretë që mbahet brenda më pak se një muaji – një madhështore ishte në Prishtinë, tjetra në Hagë.
Pas Tiranës, po diskutohet që një marsh të organizohet edhe në Maqedoninë e Veriut – në Shkup.









