Në hapje të fushatës për balotazh, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, deputeti Albin Kurti, foli pak si kryeministër edhe i ardhshëm – duke folur se cilit kryetar i ndan fonde e cilit jo.
“Të votoni për atë parti që në nivel qendror i ka rritur ndjeshëm rrogat e pensionet, bursat për studentë e shtesat për fëmijë – ndërkaq në nivelin lokal, kudo që kemi qeverisur, kemi investuar shumë më tepër sesa paraardhësit tanë”, deklaroi Kurti në fjalimin e tij.
Ani pse ka dështuar të bëhet kryeministër, Kurti ka folur për plane investimesh në qeverinë e ardhshme, duke lënë të nënkuptohet se këto fonde mund të mos përfitojnë të gjithë njësoj. Sipas tij, mbështetja financiare do t’u jepet vetëm atyre që “dinë të punojnë dhe nuk vjedhin”.
“Ne kemi premtuar dhe do ta mbajmë fjalën: 1 miliard euro investime për komunat. Por ju e dini, unë nuk e jap buxhetin e shtetit dhe paratë e taksave për ata kryetarë që nuk dinë të punojnë mirë apo për ata që vjedhin”, tha Kurti, duke shtuar se “me ata nuk ka investime as zhvillim, siç nuk ka pasur për 20 vjet pas luftës”.









