Nga marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara është edhe Marrëveshja e Financimit për Programin e Parë për “Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër” mes Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim (pjesë e Bankës Botërore).
Më 13 shkurt ishte dita e fundit kur Kuvendi i Kosovës ka pasur mundësi të ratifikojë këtë marrëveshje me Bankën Botërore, në vlerë prej 90.3 milionë eurosh.
Në rendin e ditës ishin edhe këto marrëveshje ndërkombëtare që morën dritën e gjelbër:
Ratifikimi i Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian për zbatimin e përkrahjes së Unionit përmes Instrumentit për Reforma dhe Rritje.
Ratifikimi i marrëveshjeve të financimit dhe kredive me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim, përfshirë projektet: “Financimi i politikave zhvillimore për efektivitet fiskal dhe konkurrueshmëri”, “KOMPAS” për forcimin e sistemit shëndetësor dhe “Edukimi në fëmijërinë e hershme dhe kujdesi për kapitalin njerëzor të Kosovës”.
Ratifikimi i marrëveshjes së kredisë për Instrumentin për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës.
Këto marrëveshje, të miratuara njëzëri, pritet të ofrojnë mbështetje të konsiderueshme financiare dhe teknike për zhvillimin ekonomik, shëndetësor dhe arsimor të Kosovës.
Kuvendi po vazhdon edhe më tej me punimet, teksa edhe buxheti për vitin 2026 do të mund të shqyrtohet në parim.









