Në Prishtinë, këtë të enjte, shqiptarët nga të gjitha trojet, do të protestojnë kundër vendimit dënues të Gjykatës Speciale për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Protesta është thirrur nga platforma “Liria ka Emër” dhe do të mbahet në sheshin “Skënderbeu”. Ajo do të fillojë nga ora 16:00.
Kjo është protesta e dytë gjithëkombëtare që nga dënimi i krerëve të UÇK-së.
Që nga 16 shtatori, dita kur Specialja dënoi krerët e UÇK-së, qytetarët janë duke protestuar për çdo natë në Prishtinë.
Protesta kundër vendimit janë mbajtur edhe në vende të Bashkimit Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Australi.
Krerët e UÇK-së u dënuan me 81 vjet burgim gjithsej.
Hashim Thaçi u dënua me 25 vjet. Jakup Krasniqi me 25. Kadri Veseli me 18. Dhe Rexhep Selimi me 13.
Protestuesit janë duke kërkuar edhe që të votohet nga Kuvendi Projektligji për Dhomat e Specializuara, i iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës.
Nga ana tjetër, Kryeministri Albin Kurti, ka lënë të nënkuptohet se nuk e ka me urgjencë procesin e këtij ligji.









