U.D e Presidentes, Albulena Haxhiu, ka nxjerrë dekret për dhënien e shtetësisë së Kosovës për Tienmu Ma, këshilltar i Kryeministrit, Albin Kurti. Ky i fundit, sipas dokumenteve që ka siguruar VOX Kosova, qysh në korrik të vitit 2023 e luste ish-Presidenten, Vjosa Osmani, t’ia jepte shtetësinë Ma-së, por që një gjë e tillë nuk ka ndodhur derisa në karrigen e Kryetares së shtetit erdhi Albulena Haxhiu.

DOKUMENT:

Sipas dokumenteve që ka siguruar VOX Kosova, Haxhiu dekretin për dhënien e shtetësisë për Tienmu Ma, e ka nxjerrur në korrik të vitit 2026, gjersa në gusht i njëjti është dorëzuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

DOKUMENT:

Përveç Ma-së, Haxhiu i ka dhënë nënshtetësinë edhe Boiken Abazit, një militanti të Vetëvendosjes nga Shqipëria i cili vite më parë ishte dëbuar nga Kosova.

Sipas arsyetimit të urdhrit për dëbim, Policia kishte thënë se pas verifikimit të hyrje-daljeve në Kosovë ka konstatuar se Boiken Abazi për herë të fundit ka dalë nga territori i vendit më 3.2.2016 dhe se nuk ka të dhëna për hyrje të ligjshme në Kosovë pas kësaj date.

“Andaj, i njëjti në mënyrë të paligjshme ka hyrë dhe qëndruar në Kosovë, në kundërshtim me Ligjin për të Huajt”, shkruante në urdhrin për largim me forcë të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Në anën tjetër, Dekreti i nxjerrë nga Haxhiu, mban datën 7 korrik 2026.

Sipas dokumentit, Abazi nënshtetësinë e kishte kërkuar që në vitin 2022, por nuk ishte dekretuar nga ish-Presidentja, Vjosa Osmani.