Gjykata e Apelit në Gjykatën Speciale ka vendosur sërish në favor të prokurorisë në procesin kundër Hashim Thaçit dhe të tjerëve nën akuzën për tentim të pengimit të drejtësisë.

Gjyqtari i vetëm në këtë rast, kishte vendosur muaj më parë të mos e pranojë dëshminë dhe raportin e një dëshmitari të prokurorisë, të përmendur në parashtresa si Dëshmitari 8.

Kjo, pasi dëshmitari kishte refuzuar të jepte detaje për metodologjinë e punës dhe të gjeturat në raport.

Gjyqtari i rastit fillimisht kishte shtyrë vendimmarrjen për pranueshmërinë e ekspertit deri pas dëgjimit të dëshmisë së tij, e cila u zhvillua më 3 dhe 4 mars 2026.

Më 27 mars 2026, pas parashtresave shtesë të palëve, gjykatësi vendosi të mos pranojë raportin e ekspertit, materialet shoqëruese dhe dëshminë përkatëse.

Në ankesën e paraqitur më 11 maj 2026, Prokuroria pretendoi se Gjyqtari i Vetëm i Gjykimit “gaboi në ligj dhe abuzoi me diskrecionin në interpretimin dhe zbatimin e dispozitave përkatëse, gjë që çoi në përjashtimin e provave të Dëshmitarit 8”.

Më 21 maj 2026, Mbrojtja kërkoi rrëzimin e ankesës, duke thënë se vendimi i shkallës së parë bazohej në disa arsye të pavarura dhe të mjaftueshme për përjashtim.

Duke vlerësuar pretendimet e palëve, Paneli vendosi se disa nga bazat e ankesës së prokurorisë ishin të qëndrueshme dhe se vlerësimi i shkallës së parë kërkon rishqyrtim.

Për rrjedhojë, Gjykata e Apelit ka pranuar pjesërisht ankesën e ZPS-së dhe ka urdhëruar kthimin e çështjes tek gjykatësi i vetëm për rivlerësimin e pranueshmërisë së raportit të Dëshmitarit 8 dhe materialeve përkatëse.