Një hije spiunazhi ka rënë mbi Kosovën këtë vit. Që nga janari i këtij viti pesë personave iu është ngritur aktakuzë për spiunazh, ndërsa të enjten u arrestua edhe një tjetër për të njëjtën akuzë. U arrestua Fatmir Sheholli.
Shehollin, person që kohë pas kohe ka pasur paraqitje në media, Policia e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës (AKI) dhe Prokurorinë e arrestoi me dyshimet e bazuara për përfshirje në spiunazh.
Kush janë personat e tjerë që u arrestuan e kanë aktakuza?
Prokuroria ka konfirmuar se 5 personave të tjerë iu është ngritur aktakuzë këtë vit për spiunazh.
“Që nga janari i vitit 2025, Prokuroria Speciale ka ngritur katër aktakuza ndaj pesë personave për veprën penale ‘spiunazh’, nga neni 124, paragrafi 3 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, kanë thënë nga Prokuroria Speciale për VOX Kosovën.
Nga raportimet e deritanishme, krejt të arrestuarit e të vënë nën aktakuzë, i kanë shërbyer Serbisë dhe në dëm të Kosovës – duke e njollosur edhe UÇK-në.
Muharrem Qerimi dhe Bedri Shabani janë arrestuar e ndodhën në paraburgim nën akuzën se kanë shërbyer për BIA-n serbe.
Muharrem Qerimi, përveç dhënies së informatave për UÇK-në, Policinë e Kosovës dhe AKI-në, akuzohet se i dërgoi BIA-s edhe të dhëna në lidhje me dëshmitarët e Gjykatës Speciale.
Bedri Shabani akuzohet se ka informuar Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë, e njohur si BIA, para fillimit të luftës së viteve 1998-99 në Kosovë dhe deri në arrestimin e tij në vitin 2024.
Ai akuzohet se kishte konstruktuar materiale për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), masakrën e Reçakut, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Policinë e Kosovës.
Hysri Selimi është personi tjetër që ka aktakuzë për spiunazh në favor të Serbisë e dëm të Kosovës. Ai dyshohet se kishte bashkëpunuar me BIA-n “nga nëntori i vitit 2009 deri në momentin e arrestimit më 6 maj 2025”, dhe se kishte “udhëtuar në Siri, duke iu bashkuar organizatës terroriste ISIS”.
“Pas kthimit në Kosovë dhe vuajtjes së burgut për pjesëmarrje në organizata terroriste, i njëjti kishte vazhduar të takohej në Serbi me zyrtarët e BIA-së, më konkretisht me Drejtorin për Luftimin e Terrorizmit, I.B., dhe u ka përcjellë të dhëna të tjera të rëndësishme”, thuhet në aktakuzë.
Nga prokuroria ishte thënë se Selimi ishte paguar nga BIA serbe deri në 700 euro në muaj për bartjen e të dhënave.
Një punonjëse e OSBE-së, Jelena Gjukanoviç u paraqit para disa ditëve në Gjykatë nën akuzën për spiunazh.
“Nga data e pacaktuar e në vazhdimësi, deri në momentin e arrestimit të saj, me datë 28.02.2025, në cilësinë e zyrtares vendore të Misionit të OSBE-së në Kosovë, pranë Zyrës Rajonale në Mitrovicë, në pozitën ‘Zyrtare e Programit Kombëtar në Zyrën Rajonale në Mitrovicë’, me vetëdije të plotë dhe me dashje direkte ka kryer veprime të përsëritura që përbëjnë ndihmë aktive për veprimtarinë informative të një shërbimi të huaj, konkretisht të Agjencisë për Inteligjencë dhe Siguri të Republikës së Serbisë (e njohur si BIA), duke i ofruar të dhëna, dokumente dhe informacione të ndjeshme, të siguruara gjatë ushtrimit të detyrës së saj zyrtare në kuadër të aktivitetit të Misionit të OSBE-së, ndihmë kjo e realizuar përmes komunikimeve të shumta me tani të dënuarin për veprën penale të spiunazhit, Agjentit Rezident të BIA-së, Aleksandër Vllaiq”, thuhet në dosjet e prokurorisë.
Në korrik të këtij viti, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, njoftuan se u arrestua togeri policor Bojan Jevtiç nën dyshimin për spiunazh.
Jevtiç ka qenë i angazhuar në pozitën e shefit të operativës në policinë kufitare në pikë kalimin kufitar “ Dheu i Bardhë”.








