Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar të martën se ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit për dy vepra penale: “Spiunazh” dhe “Shantazh”.

Sipas aktakuzës, Sheholli nga një datë e papërcaktuar e deri më 9 tetor 2025, “në cilësinë e personit të rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë, i njohur si BIA, e ka ndihmuar veprimtarinë e këtij shërbimi, duke vepruar sipas urdhrave dhe detyrave të zyrtarëve të tij”.

Sheholli akuzohet nga organi i akuzës se ka mbledhur, siguruar dhe përcjellë përmes mesazheve telefonike të dhëna, informacione dhe dokumente lidhur me aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës.

Sheholli akuzohet edhe për veprën penale “Shantazh”. “Gjatë vitit 2022 deri në dhjetor 2025, e ka shantazhuar të dëmtuarin A.J., duke e detyruar të veprojë në dëm të pasurisë së tij, në shumën që tejkalon 13,000.00 euro”.

Sipas aktakuzës, Sheholli i ka kërkuar të dëmtuarit para në emër të huazimit, duke e kërcënuar se, “në rast të mosdhënies së parave, do të publikonte në media video-incizime dhe informacione që do t’i dëmtonin rëndë nderin, reputacionin dhe autoritetin e të dëmtuarit”.

Ky rast i ka kaluar për shqyrtim Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Më 9 tetor 2025, Policia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me AKI-në dhe Prokurorinë kishte arrestuar Fatmir Shehollin, me dyshimet e bazuara për përfshirje në spiunazh